Rajon
Stuhia godet edhe Shqipërinë, dy viktima, të lënduar dhe dëme materiale
22.07.2026 16:16
Një stuhi e fuqishme goditi jugun e Shqipërisë në kulmin e sezonit turistik..

Një stuhi e fuqishme goditi jugun e Shqipërisë në kulmin e sezonit turistik, duke shkaktuar të paktën dy viktima, tre të lënduar dhe dëme të shumta materiale. Dhjetëra pemë u rrëzuan, duke dëmtuar automjete dhe biznese.
Në Himarë, Bashkim Boçi, elektricist i OSSh-së, humbi jetën gjatë punës për rikthimin e energjisë elektrike në zonën e Potamit.
Rreth orës 03:00, teksa po ngjitej në një shtyllë për të riparuar defektin, u këput rripi i sigurisë dhe ai ra nga 9 metra lartësi, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kushtet e sigurisë në punë.
Në Ksamil, stuhia e gjeti në det të trazuar peshkatarin Mihal Zoi. Varka e tij u përmbys, ndërsa trupi i pajetë u gjet pranë tre ishujve.
Gjatë stuhisë, Policia Kufitare e Vlorës ndërhyri për të shpëtuar qytetarë që ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve, nga Karaburuni deri në Ksamil.
Në Sarandë, era e fortë rrëzoi dhjetëra pemë, të cilat dëmtuan automjete. Tre persona morën ndihmë mjekësore pasi u lënduan nga xhamat e thyer dhe degët e pemëve.
Edhe Vlora u përfshi nga stuhia. Në Lungomare u rrëzuan pemë që dëmtuan fasadat e disa lokaleve, ndërsa në disa zona vijon ende mungesa e energjisë elektrike.
Kapiteneria e Portit të Vlorës, ajo e Sarandës dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nuk kishin lëshuar njoftime paralajmëruese për përkeqësimin e motit.
LULJETA NDOKA
