Maqedoni
Shkupi nderon Mahatma Gandin me bust, simbol i miqësisë Indi–Maqedoni e Veriut
22.07.2026 17:21
Mahatma Gandi u përjetësua me një bust në Muzeun e Qytetit të Shkupit....

Lideri i shquar indian, Mahatma Gandi, i cili përmes mosbindjes civile paqësore i solli Indisë pavarësinë dhe frymëzoi lëvizje për të drejtat civile dhe liritë në mbarë botën, u përjetësua me një bust në Muzeun e Qytetit të Shkupit.
“Ky bust do të qëndrojë si një simbol afatgjatë i miqësisë midis Indisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe i përkushtimit tonë të përbashkët ndaj paqes, tolerancës dhe humanizmit. Jam e bindur se lidhjet tona kulturore dhe ato mes njerëzve do të vazhdojnë të thellohen në vitet në vijim.”, - theksoi presidentja e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu.
Autoritetet e vendit vunë në pah lidhjen e thellë shpirtërore ndërmjet Mahatma Gandit dhe Shën Nënë Terezës. Ata theksuan se pikërisht në Shkupin multikulturor, qytetin ku lindi dhe u rrit Nënë Tereza, u formësuan vlerat që më vonë e udhëhoqën në misionin e saj humanitar në Indi.
“Mahatma Gandi, apostulli i mosdhunës, zgjoi shpresën për luftën pa dhunë për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Si ikonë e antikolonializmit, emancipimit, lëvizjeve për të drejtat civile e politike dhe barazisë ndërmjet burrave dhe grave, Gandi u bë frymëzim për Martin Luther King, Nelson Mandelën, Václav Havelin, Lech Wałęsën dhe shumë liderë të tjerë.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
“Ky akt ka një simbolikë veçanërisht të fuqishme pikërisht këtu në Shkup, qytetin ku ka lindur Shën Nënë Tereza. Edhe pse Mahatma Gandi dhe Nënë Tereza e përmbushën misionin e tyre në mënyra të ndryshme, jetët e tyre i bashkon një mesazh universal: se njerzillëku, dashuria, bashkëndjenja dhe kujdesi i palëkundur për tjetrin janë fuqia më e madhe që zotëron njeriu.”, - u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Më herët, dy presidentet vizituan Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, ku bënë homazhe për jetën, veprën dhe trashëgiminë shpirtërore të shenjtores, mesazhet universale të së cilës për mëshirën, solidaritetin dhe kujdesin për njeriun vazhdojnë të jehojnë edhe sot në mbarë botën.
ERSAN PAJAZITI
