Maqedoni
AShMAAV hesht për dokumentet e ritransmetimit të kanaleve Arena M Premium
22.07.2026 17:30
Heshtje nga AShMAAV ndaj pyetjes së fundit të Televizionit të Maqedonisë...

Heshtje nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ndaj pyetjes së fundit të Televizionit të Maqedonisë: “A mund t'i vërë në dispozicion dokumentet për ritransmetimin e programit të Arena M Premium, në emër të interesit publik?”
"Përgjigjja nuk do të jetë sot", njoftuan nga Agjencia përmes një komunikimi telefonik, në lidhje me pyetjen e dërguar me postë elektronike nga servisit publik.
Agjencia nuk ka dhënë asnjë sqarim për hulumtimin e Televizionit të Maqedonisë lidhur me regjistrimin e kanaleve sportive të specializuara Arena M1, Arena M2 dhe Arena M3 Premium, i cili tregoi se kanale me këto emërtime nuk figurojnë në regjistrin e serviseve programore të organit rregullator për mediat elektronike në Serbi. Po ashtu, ato nuk gjenden as në bazën zyrtare të të dhënave të Observatorit Evropian të Mediave, i cili mban evidencë për të gjitha kanalet e hapura dhe të mbyllura në 40 shtete evropiane.
Në pyetjen fillestare të servisit publik, nëse bëhet fjalë për transmetim apo ritransmetim të këtyre kanaleve, përgjigjja e AShMAAV-së ishte:
"Këto tre shërbime programore ritransmetohen nga operatorët në bazë të një kontrate të lidhur me Arena Sport nga Beogradi. Të tre shërbimet programore janë të regjistruara zyrtarisht në Republikën e Serbisë."
Megjithatë, pas verifikimit të kryer nga Televizioni i Maqedonisë, përsëri shtrohen disa pyetje:
Pse në përgjigjet e mëparshme Agjencia deklaronte se shërbimet programore Arena M1, M2 dhe M3 Premium janë të regjistruara në Republikën e Serbisë, kur ato nuk figurojnë në regjistrin e televizioneve të autoritetit rregullator serb?
A do të ndërmarrë tani Agjencia hapa konkretë për të verifikuar legjitimitetin e këtyre kanaleve, pasi kontrolli i Televizionit të Maqedonisë konstatoi se pretendimi për regjistrimin e tyre në Serbi nuk është i saktë?
Duke pasur parasysh përgjigjen e AShMAAV-së se, sipas ligjit, shërbimet programore regjistrohen mbi bazën e aplikimit të paraqitur nga operatorët, kush verifikon nëse në këto aplikime janë përfshirë shërbime programore që nuk janë të licencuara, përkatësisht nuk kanë leje për veprimtari?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë me rëndësi të veçantë për publikun, duke pasur parasysh se mbi 95 për qind e audiencës televizive i ndjek programet përmes rrjeteve kabllore, IPTV-së ose satelitit, për të cilat qytetarët paguajnë nga buxheti i tyre mujor.
Po aq të rëndësishme janë këto përgjigje edhe për televizionet vendase, të cilat paguajnë shuma të konsiderueshme për licencat e transmetimit dhe veprimtarisë në rajon, ndërsa përballen me konkurrencë të padrejtë dhe joparimore.
