Takimi Rubio - Lavrov dhe paqja në Ukrainë, ShBA-ja kërkon rrugë diplomatike
Një zhvillim i rëndësishëm diplomatik ka ndodhur në Filipine...

Një zhvillim i rëndësishëm diplomatik ka ndodhur në Filipine, ku Uashingtoni dhe Moska kanë rikthyer kontaktet e nivelit të lartë për luftën në Ukrainë.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë zhvilluar një takim të drejtpërdrejtë kokë më kokë, në margjinat e samitit të ASEAN-it në Manila.
Ky takim vjen në një moment mjaft kritik, teksa palët po hulumtojnë nëse ka mbetur hapësirë për të ringjallur diplomacinë e bllokuar. Përpara se të ulej në tryezë, shefi i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, bëri të qartë nevojën për dialog.
"Ne duhet të kemi një marrëdhënie me qeverinë ruse, edhe pse kemi zona ku nuk pajtohemi, duke pasur parasysh se jemi dy vendet me armatimin më të madh bërthamor në botë. ShBA-ja mbetet e hapur për të luajtur një rol në përfundimin e këtij konflikti, nëse kjo mundësi na paraqitet.", - theksoi sekretari amerikan i ShBA-së, Marco Rubio.
Moska kundërshton armatosjen e Kievit
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, u shpreh i interesuar për të kërkuar sqarime rreth deklaratave të fundit të presidentit Donald Trump, i cili ka parashikuar se një zgjidhje paqësore e konfliktit po ofrohet.
Lavrov theksoi se Moska mbetet e gatshme për një zgjidhje politike dhe diplomatike, por ia bëri të qartë homologut amerikan se vazhdimi i armatosjes së Ukrainës nga Perëndimi është tërësisht i papranueshëm.
"Moska mbetet plotësisht e hapur për një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës. Megjithatë, vazhdimi i furnizimit me armë për regjimin e Kievit nga ana e Shteteve të Bashkuara është tërësisht i papranueshëm, ashtu siç është destabilizues edhe qëndrimi i vendeve evropiane që kërkojnë t'i shkaktojnë një humbje strategjike Rusisë.", - u shpreh ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Takimi në Manila mes dy kryediplomatëve, edhe pse nuk solli një marrëveshje konkrete, shihet si një sinjal se kanalet e komunikimit mes dy superfuqive po qëndrojnë sërish të hapura. (Merita Gashi, TVM2)
