Lindja e Mesme në flakë, pakti me Rijadin dhe alarmi i Trump-it
Skena ndërkombëtare është përfshirë nga një valë e re dhune...

Skena ndërkombëtare është përfshirë nga një valë e re dhune ushtarake dhe pasigurie ekonomike. Ushtria amerikane ka përfunduar natën e saj të 12-të rresht të sulmeve ajrore intensive ndaj objektivave ushtarake brenda Iranit, me qëllim mbrojtjen e rrugëve detare.
Si përgjigje e menjëhershme, Irani ka goditur me raketa bazat amerikane në Kuvajt, ndërsa rebelët Houthi në Jemen kanë sulmuar dy anije saudite të naftës në Detin e Kuq.
Zyrtarët në Teheran kanë paralajmëruar se pa sigurinë e tyre, asnjë pikë strategjike në rajon nuk do të jetë e sigurt.
Ndërkohë, ShBA-ja ka nënshkruar një marrëveshje bërthamore civile me Arabinë Saudite, një hap që kritikët e politikës së jashtme po e cilësojnë si rrezik për ndezjen e një gare armatimi.
Mes këtij kaosi, Presidenti Donald Trump ka lëshuar një kërcënim të prerë dhe të drejtpërdrejtë ndaj Teheranit.
"Ne do të bombardojmë dhe do të shkatërrojmë një urë ose një pikë energjetike të Iranit çdo herë që ata guxojnë të qëllojnë apo të shënjestrojnë një anije në Ngushticën e Hormuzit. Amerikanët nuk janë kundër kësaj lufte kur bëhet fjalë për mbrojtjen tonë.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Reagimi i Teheranit pas këtyre kërcënimeve ka qenë i menjëhershëm. Kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi prerazi se nuk do të ketë asnjë lloj sigurie në rajon nëse cenueshmëria e Iranit vazhdon.
Ai paralajmëroi se nëse infrastruktura e tyre sulmohet, çdo urë dhe pikë strategjike në Lindjen e Mesme do të kthehet në një shënjestër legjitime.
Deri më tani, sulmet e fundit brenda Iranit kanë lënë të paktën 53 të vdekur, ndërsa çmimi i naftës Brent ka fluturuar menjëherë mbi 95 dollarë për fuçi, duke sjellë panik në tregjet globale.
Nga ana tjetër, marrëveshja e re bërthamore civile e Uashingtonit me Rijadin po mbrohet me forcë nga Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Wright. Sipas tij, ky partneritet miliarda dollarësh garanton prosperitet dhe siguri për aleatët, duke respektuar standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë.
Megjithatë, ky hap ka gjetur kundërshtim të ashpër nga ekspertët e pavarur, të cilët I bëjnë thirrje urgjente Kongresit që ta refuzojë këtë Marrëveshje, duke e cilësuar atë si një fitil që rrezikon të hapë garën e armatimit bërthamor në një rajon që tashmë po digjet nga lufta. (Merita Gashi, TVM2)
