Bien dy rekorde botërore në zhytjen e lirë

23.07.2026 16:27

Në sportet e ujit, bien dy rekorde botërore në zhytjen e lirë, ndërsa kampionia olimpike Ana Marcela Cunha vendos rekord të ri të Amerikës së Jugut në kalimin e Kanalit Anglez...

Alexey Molchanov vendosi një rekord të ri botëror AIDA në zhytjen e lirë, duke arritur thellësinë 129 metra në disiplinën Zhytje me peshë konstante dhe dy pendë (Constant Weight with Bi-Fins)  gjatë garës AIDA Asian Freediving Cup 2026 në Filipine.

Rusi, që garon si atlet neutral, theu rekordin e mëparshëm prej 128 metrash të kroatit Petar Klovar.

Rekordi do të zyrtarizohet pas përfundimit të procedurës së kontrollit antidoping.

Në të njëjtën garë u vendosën edhe pesë rekorde kombëtare.

Amerikania Enchante Gallardo barazoi rekordin botëror AIDA për femra në disiplinën Free Immersion, duke u zhytur në thellësinë 106 metra gjatë AIDA Asian Freediving Cup 2026 në Filipine.

Me këtë rezultat, ajo ndan rekordin botëror me Natalia Zharkova dhe njëkohësisht vendosi zhytjen më të thellë të realizuar ndonjëherë nga një sportiste amerikane në këtë disiplinë.

Gallardo u shpreh se ky është realizimi i një ëndrre shumëvjeçare, por synimi i saj mbetet të arrijë edhe më thellë.

Ndërsa kampionia olimpike Ana Marcela Cunha vendosi një rekord të ri të Amerikës së Jugut në kalimin e Kanalit Anglez.

Braziliania përshkoi 37 kilometrat mes Anglisë dhe Francës për 8 orë, 27 minuta e 12 sekonda, duke regjistruar kohën më të mirë ndonjëherë për një sportist nga Amerika e Jugut.

Pas përfundimit të sfidës, Cunha tha se realizoi një ëndërr që e kishte që në moshën 14-vjeçare dhe e cilësoi kalimin e Kanalit Anglez si "Everestin e notit në ujëra të hapura". (Safet Ademi, TVM2)