Trump-i paralajmëron sulme të reja, përshkallëzohen tensionet ShBA-Iran

24.07.2026 15:03

Një përshkallëzim ushtarak po trondit Lindjen e Mesme...

Një përshkallëzim ushtarak po trondit Lindjen e Mesme. Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë jashtëzakonisht kritike.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, deklaroi se është shumë pranë marrjes së një vendimi për një "sulm masiv, më të madh se kurrë më parë" ndaj Republikës Islamike. Trump u shpreh se Irani kërkon të negociojë, por "nuk ka ndjerë ende mjaftueshëm dhimbje".

Ky paralajmërim vjen pasi Komanda Qendrore e ShBA-së  konfirmoi përfundimin e natës së 13-të të sulmeve ajrore. Janë goditur qendra komande, rrjete komunikimi dhe depo dronësh të Gardës Revolucionare në Iran.

"Jemi plotësisht të gatshëm për këtë. Nëse ata prekin qoftë edhe një anije tjetër,  ne do të shkatërrojmë urat dhe rrjetet e tyre energjetike. Ata duan të negociojnë, por ende nuk kanë vuajtur mjaftueshëm. Izraeli do të na bashkohej në dy minuta nëse ua kërkoj, por ShBA-ja nuk ka nevojë për askënd.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.

Kjo deklaratë ka nxitur reagime të menjëhershme gjithandej. Derisa Teherani zyrtar deklaroi përmes televizionit shtetëror se nuk do të pranojë asnjë armëpushim të përkohshëm që nuk zgjidh kontrollin e ngushticës së Hormuzit,  OKB-ja lëshoi një thirrje urgjente për vetëpërmbajtje, duke paralajmëruar se situata po del jashtë kontrollit.

Presioni politik po rritet edhe brenda Uashingtonit. Dhoma e përfaqësuesve votoi një masë për të frenuar aftësinë e Trump-it për të vazhduar luftën pa miratimin e Kongresit.

Ky vendim reflekton pakënaqësinë në rritje, për shkak të çmimit të naftës bruto Brent,  i cili  ka mbërritur në 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga muaji maj. (Merita Gashi, TVM2)