ShBA-ja riformëson marrëdhëniet ekonomike globale, tarifat e reja doganore godasin 60 shtete partnere

24.07.2026 15:21

Një vendim i rëndësishëm i Shtëpisë së Bardhë...

Një vendim i rëndësishëm i Shtëpisë së Bardhë pritet të riformësojë marrëdhëniet ekonomike globale . Nga dita e sotme, ShBA-ja ka vendosur tarifa të reja doganore dypjesëshe që prekin 60 vende partnere tregtare. Këto masa zëvendësojnë tarifat e përkohshme 10% që skaduan në mesnatë.

Sipas Uashingtonit zyrtar, tarifat e reja që variojnë nga 10 deri 12.5 % synojnë shtetet që kanë dështuar të zbatojnë ligjet kundër importeve të mallrave të prodhuara nga puna e detyruar.

Në listën e masave ndëshkuese janë përfshirë partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, si Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Kanada, Meksika, India dhe Kina.

"ShBA-ja  e ka ndaluar importin e produkteve nga puna e detyruar për gati një shekull dhe e zbatojnë këtë me rreptësi. Është koha që edhe partnerët tanë tregtarë të bëjnë të njëjtën gjë. Ky veprim do të fillojë të korrigjojë atë që përbën abuzim me të drejtat e njeriut dhe praktikë tregtare të shtrembëruar.", - thanë nga Kongresi Amerikan.

Ky vendim ka nxitur një valë të menjëhershme reagimesh diplomatike në mbarë botën.

Bashkimi Evropian ka shprehur habi për përfshirjen në këtë listë, por njëkohësisht ka dhënë një mirëpritje të kujdesshme, për shkak të mënyrës se si u llogaritën normat neto.

"Kush mund t'i mbajë mend tarifat që hyjnë e dalin? Ne nuk e prisnim këtë përfshirje. Megjithatë, ne po kërkojmë sqarime të plota nga Uashingtoni mbi arsyetimin e tyre, ndërsa vlerësojmë faktin që normat e reja u përshtatën pa tejkaluar tavanet ekzistuese të dakorduara.", - theksoi përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.

Nga ana tjetër, reagime të ashpra kanë ardhur nga Azia dhe nga fqinjët e Amerikës Veriore. Kina dhe India e kanë cilësuar lëvizjen si një shkelje të rregullave të tregtisë së lirë, duke bërë me dije për masa për mbrojtjen e kompanive të tyre, ndërsa  Kanadaja dhe Meksika deklaruan se tarifat bien ndesh me frymën e marrëveshjes USMCA dhe paralajmëruan dialog të menjëhershëm ose masa reciproke mbrojtëse, me theks rishikim të marrëdhënieve dypalëshe. (Merita Gashi, TVM2)