Gjendja në Gostivar, sërish përplaset pushteti dhe opozita

24.07.2026 16:34

Uji i ndotur në Gostivar edhe sot ka përplasur partitë politike...

Uji i ndotur në Gostivar edhe sot ka përplasur partitë politike. LSDM-ja akuzon VMRO-DPMNE-në dhe institucionet nën drejtimin e saj se nuk po ndërmarrin masa për zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm, jo vetëm në Gostivar, por edhe në qytete të tjera.

Socialdemokratët përmendën rastet në Vallandovë, Leshok dhe Krushevë, ku sipas tyre, uji ka rezultuar i pasigurt për konsum.

“Në Gostivar, Vallandovë, në spitalin në Leshok, tani edhe në Krushevë, uji është bakteriologjikisht i parregullt. Për vetëm pak ditë kemi katër qytete me ujë të ndotur për pije. Ky është dëshmia më dramatike e shpërbërjes së plotë sistemore të shëndetësisë dhe institucioneve nën pushtetin e Mickoskit dhe grupit të tij të organizuar kriminal.  Pyetja është,  edhe sa qytete të tjera po konsumojnë ujë të parregullt?Institucionet nuk e kryejnë më as obligimin e tyre më themelor, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.", - deklaroi Simona Cvetanovski nga LSDM.

I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së. Nga partia në pushtet akuzuan LSDM-në dhe Venko Filipçen se po e shfrytëzojnë krizën me ujin për të përhapur panik dhe dezinformata, në vend që të ofrojnë zgjidhje.

Sipas tyre, opozita po e përdor këtë çështje për marketing politik dhe për të krijuar frikë te qytetarët.

Derisa LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari mbrojnë kuadrot e tyre, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE po ndërmerr masa konkrete për zgjidhjen e problemit në Gostivar, thonë nga kjo parti.

"Për skandalin me ujin në Gostivar, më e zëshme është heshtja e LSDM-së, BDI-së dhe Taravarit. As kërkesë për përgjegjësi, as thirrje për dorëheqje ndaj kandidatit të tyre Valbon Limani, i cili publikisht deklaroi se nuk ndien asnjë përgjegjësi morale. LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari heshtin, sepse Valbon Limani është kandidati i tyre dhe e mbrojnë përmes prokurorëve dhe gjykatësve të tyre. Heshtja është dëshmi se për LSDM-në, BDI-në dhe Taravarin, përkatësia partiake është më e rëndësishme se shëndeti i qytetarëve.", - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Ditë më herët edhe partia VLEN adresoi kritika ndaj Arben Taravarit, duke kërkuar përgjegjësi se pse problemi me ujin e pijshëm  në këtë qytet nuk është zgjidhur gjatë kohës kur ai drejtonte komunën, pavarësisht premtimeve për zgjidhjen e tij.

Nga VMRO-DPMNE thonë se reagimi i shpejtë i institucioneve do të mundësojë zgjidhjen e problemit në Gostivar në një kohë sa më të shkurtër.

Sipas kryeministrit Mickoski, uji për përdorim teknik në Gostivar do të lëshohet deri në fund të kësaj jave, ndërsa deri në fund të javës së ardhshme, sipas tij, ai do të jetë plotësisht i sigurt edhe për konsumim. (Rexhep Qamili, TVM2)