Integrimi evropian, Mucunski: Ka klimë pozitive, por jo diçka konkrete

24.07.2026 16:56

Shefi i Diplomacisë, Timço Mucunski...

Shefi i Diplomacisë, Timço Mucunski, thotë se çdo zgjidhje me palën bullgare do të jetë në kuadër të principeve, të cilat Qeveria publikisht i ka bërë të ditura.

Ai nuk zbuloi të reja lidhur me zgjedhjen e problemit me palën bullgare, por vetëm theksoi se po vërehen impakte pozitive për tejkalimin e problemit, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Ai po ashtu theksoi se pala maqedonase nuk do të bëjë asnjë lëshim lidhur me historinë dhe identitetin maqedonas. Ai shtoi se është një gjë të respektohen detyrimet ndërkombëtare, ndërsa krejt tjetër kur çështjet dypalëshe keqpërdoren për të bllokuar padrejtësisht rrugën evropiane mbi bazën e pikëpamjeve subjektive.

“Nuk kemi alternativë tjetër, përpos të kërkojmë zgjidhje,por opinioni publik në Maqedoni duhet të qëndrojë e qetë se gjithçka që kemi thënë si qeveri, dhe çdo zgjidhje do të jetë në kuadër të principeve dhe postulateve që Qeveria i ka thënë publikisht. Ne vazhdimisht po punojmë për zgjidhje, por nuk kemi ndërmend edhe të bëjmë lëshime. Ekzistojnë detyrime dypalëshe që nuk janë vetëm të natyrës politike, por edhe ekonomike dhe sociale, dhe të cilat kemi detyrim t’i respektojmë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare publike. Por, është krejt tjetër kur dikush e përdor kontekstin e marrëveshjeve dypalëshe për të bllokuar padrejtësisht procesin.”, - deklaroi ministri i MPJ-së, Timço Mucunski.

Mucunski tha se protokollet nuk janë pjesë e kornizës negociuese dhe se pajtohet plotësisht me qëndrimin e presidentes Gordana Siljanovska Davkova, sipas të cilit, në përmbajtjen e kornizës negociuese nuk ekziston asnjë dispozitë, as e shprehur dhe as e nënkuptuar, që lidhet me momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

Sa i përket non-paper-eve që u shfaqën gjatë muajve të kaluar, Mucunski tha se në Bashkimin Evropian tashmë po zhvillohen debate intensive për politikën e zgjerimit, pasi sistemi aktual vlerësohet si një model i vjetruar që kërkon ndryshime serioze, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ngjarje që e vendosi zgjerimin ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian. (Fitim Kryeziu, TVM2)