ASHMAAV: Ende nuk ka përgjigje për kanalet sportive
Për të tretën ditë me radhë, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele...

Për të tretën ditë me radhë, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele vazhdon të mos i përgjigjet pyetjes së fundit të ngritur nga Televizioni i Maqedonisë. Bëhet fjalë për kërkesën që në interes të transparencës dhe publikut, të vihen në dispozicion dokumentet që lidhen me ritransmetimin e kanaleve “Arena M Premium”, përkatësisht aplikimi dhe miratimi për përfshirjen e tre kanaleve sportive të specializuara në paketat e operatorëve.
Po ashtu, ende nuk ka përgjigje lidhur me informacionet se këto kanale janë të regjistruara në Serbi, por nuk figurojnë në regjistrin zyrtar të autoritetit rregullator serb.
Hulumtimi i Televizionit të Maqedonisë tregon se “Arena Channels Group” funksionon ndryshe në vendet e tjera të rajonit.
Në Kroaci, kompania zotëron plotësisht shoqërinë “HD-ËIN Arena Sport”, e cila ka regjistruar 11 kanale televizive dhe transmeton program në gjuhën kroate.
Në Slloveni, në pronësi të “Arena Channels Group” është kompania “Arena Sport”, e cila ka regjistruar tre kanale dhe transmeton program në gjuhën sllovene.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, kompania “Arena Sport BH”, gjithashtu në pronësi të plotë të “Arena Channels Group”, ka regjistruar katër kanale që transmetojnë në gjuhën boshnjake.
Në këtë rast shtrohen disa pyetje. Në pronësi të kujt janë “Arena M1”, “Arena M2” dhe “Arena M3”, dhe kush e organizon funksionimin e tyre në Maqedoninë e Veriut?
Nëse në vendet e tjera të rajonit “Arena Channels Group” themelon kompani në pronësi të saj, a i ka besuar në Maqedoni menaxhimin e këtyre kanaleve një kompanie tjetër?
Gjithashtu shtrohet dilema nëse lejimi që një rrjet rajonal mediatik të menaxhojë programe televizive lokale, të përshtatura gjuhësisht dhe kulturorisht, nën emërtimin e ritransmetimit, krijon kushte të pabarabarta në tregun mediatik, një treg që duhet të rregullohet nga Agjencia.
Hulumtimi i televizionit publik hap edhe shumë pyetje të tjera që meritojnë përgjigje, si në interes të publikut, të cilit i shërben transmetuesi publik, ashtu edhe në interes të rregullimit të tregut mediatik në vend dhe krijimit të kushteve të barabarta dhe të drejta për të gjithë pjesëmarrësit në të. (Mustafa Ademi, TVM2)
