Helmimi në Gostivar, IShP: Rezultate të ndryshme nga mostrat e marra
Nuk mund të përcaktohet me saktësi se cili bakter apo virus...

Nuk mund të përcaktohet me saktësi se cili bakter apo virus ka shkaktuar helmimin kur bëhet fjalë për një epidemi hidrike, siguron kryetarja e Komisionit për Sëmundje Infektive, Dr. Shopova.
Ajo shton se bakteret e zorrëve janë vetëkufizuese, që do të thotë se largohen nga organizmi edhe pa terapi specifike.
"Shkaktarët e izoluar në këtë rast specifik janë identifikuar me precizitet përmes metodës më të sofistikuar që përdoret sot në botë. Megjithatë, ndonëse kemi prani si të baktereve ashtu edhe të viruseve, se cili prej tyre është shkaktari kryesor këtë nuk e ka përcaktuar me prerje askush në botë gjatë epidemive të tilla hidrike. Ndaj, mos prisni që dikush të japë një përgjigje përfundimtare për këtë në këto momente.", - deklaroi kryetarja e Komisionit për Sëmundje Infektive, Zhaklina Shopova.
Prani e baktereve koliforme dhe mezofile aerobe, si dhe nivel i ulët i klorit mbetës këto janë rezultatet e analizave mikrobiologjike dhe fiziko-kimike të kryera në mostrat e marra nga 13 pika të rrjetit të ujësjellësit në Gostivar, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik.
Drejtoresha Andonovska theksoi se Instituti nuk mund të kryejë inspektime pa një urdhëresë nga inspektoriati ose institucionet përkatëse.
“Në ujin e papërpunuar, në burim dhe në kapazh, kemi një prani të rritur të baktereve koliforme me origjinë nga ujërat sipërfaqësore. Gjithashtu, në pikën e tretë të monitorimit u konstatua sërish nivel i lartë i baktereve koliforme, ndërsa në rezervuar parametrat dolën brenda normave të lejuara gjatë analizave të para. Sa i përket testimeve të dytë të marra nga çezmja publike përballë komunës, analizat mikrobiologjike, fiziko-kimike dhe klori mbetës nuk shfaqën asnjë shmangie nga standardet.”, - theksoi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska.
Nuk përjashtohet as mundësia e shfaqjes së verdhëzës te personat e infektuar që kanë konsumuar ujin e ndotur, mirëpo autoritetet shëndetësore garantojnë se janë plotësisht të gatshme për të reaguar.
Mbi 3.000 pacientë të moshave nga 1 deri në 80 vjeç kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Gostivar. Ditët e fundit, fluksi i pacientëve ka pësuar rënie, duke shkuar në rreth 100 raste në ditë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
