Shkëndija mundet nga Bravo, Pollozhani: Asgjë nuk është humbur
Shkëndija ka pësuar humbje minimale 2:1 në udhëtim ndaj Bravos...

Shkëndija ka pësuar humbje minimale 2:1 në udhëtim ndaj Bravos, në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Kuqezinjtë” kaluan në epërsi që në minutën e 11-të, kur Endrit Krasniqi realizoi me saktësi nga pika e bardhë. Megjithatë, vendasit përmbysën rezultatin me golat e Rok Kopatin në minutën e 19-të dhe Jakoslav Stankoviq në minutën e 56-të.
Pas ndeshjes, trajneri Artim Pollozhani theksoi se asgjë nuk ka përfunduar dhe se skuadra e tij do të synojë fitoren në ndeshjen e kthimit.
“Në ndeshje të tilla nuk mund të jesh kurrë i sigurt paraprakisht për asgjë. Në Shkup do të duhet të japim maksimumin për të fituar. Ndonjëherë edhe një rezultat negativ mund të shërbejë si motiv shtesë dhe të sjellë një qasje tjetër. Më vjen keq për djemtë, sepse merituan më shumë, por jam i bindur se kemi cilësinë për ta siguruar kualifikimin në fazën tjetër”, - deklaroi Pollozhani.
Shkëndija tani do të ketë mundësinë ta përmbysë disavantazhin minimal në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas shtatë ditësh në Shkup, ku do të vendoset skuadra që do të sigurojë kualifikimin në raundin e ardhshëm të garës. (Safet Ademi, TVM2)
