Maqedoni
Gostivari dhe Krusheva ende me shqetësime për ujin, Klekovski: Rastet në rënie, epidemia po hyn në fazën e shuarjes
25.07.2026 15:31
Numri i rasteve të reja është në rënie, ndërsa situata me epideminë po përmirësohet...

Numri i rasteve të reja është në rënie, ndërsa situata me epideminë po përmirësohet, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Sipas tij, epidemia po hyn në fazën e shuarjes, ndërsa institucionet po vazhdojnë analizat për të përcaktuar si ka rrjedhur dhe është përhapur ajo.
“Sot kemi 80 raste të reja të raportuara, që është dy herë më pak krahasuar me shifrat e mëparshme, gjë që tregon qartë se jemi në një trend rënës. Numri i përgjithshëm i të prekurve është rreth 4.000. Deri më tani janë pranuar rreth 750 raportime për sëmundje ngjitëse, ndërsa janë intervistuar epidemiologjikisht 490 persona. Mund të them se epidemia po hyn në fazën e shuarjes dhe tani fillon faza e analizës së plotë epidemiologjike për të përcaktuar kronologjinë e ngjarjeve. Tashmë kemi mbledhur informacion të mjaftueshëm nga puna që epidemiologët kanë kryer në terren.”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Nga ana tjetër Gostivari po vazhdon të përballet me pasojat e ndotjes së ujit të pijshëm. Qytetarët, të shqetësuar, thonë se frikësohen se uji i ndotur mund të ndikojë edhe në sigurinë e ushqimit, pasi me të lahen frutat dhe perimet. Ata thonë se produktet ushqimore i blejnë kryesisht në markete dhe se para konsumimit i lajnë me ujë të pastër.
“Fruta dhe perime blejmë nga marketet.”, u shpreh një qytetar.
“Jemi të frikësuar nga uji i ndotur.”, tha një qytetar.
“Këtu blejmë ujë për pije, por për pastrim nuk kemi.”, theksoi një qytetar.
“Blejmë ujë këtu, madje edhe për pastrim përdorim ujin që e blejmë.”, u shpreh një qytetare.
Ndërkohë, mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të Gostivarit të mos krijojnë panik, por të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
“Në këtë moment nuk ka nevojë për përhapje paniku, nevojitet vetëm kujdes. E kuptoj shqetësimin e qytetarëve të komunës së Gostivarit, veçanërisht të prindërve të fëmijëve të vegjël. Megjithatë, është e rëndësishme që ata të ndjekin rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe, nëse vërejnë ndonjë simptomë specifike, të reagojnë menjëherë. Por nuk ka asnjë arsye për shqetësim të shtuar apo për panik më të madh.”, u shpreh mjekja Karolina Ristovska.
Edhe banorët e Krushevës vazhdojnë të sigurojnë ujë për pije dhe përdorim shtëpiak në mënyra alternative, pasi ndalimi i përdorimit të ujit nga ujësjellësi i qytetit mbetet në fuqi për shkak të papërshtatshmërisë bakteriologjike. Qendra e Shëndetit Publik në Prilep po analizon mostrat e ujit. Edhe pse mostra e parë ka rezultuar e rregullt, ndalimi do të hiqet vetëm pasi të konfirmohen rezultatet e tre mostrave të njëpasnjëshme, që priten më së hershmi të martën.
Ndërkohë, vazhdon hetimi për burimin e ndotjes së lumit Lepenc. Janë marrë mostra për analiza, ndërsa Inspektorati i Mjedisit ka nisur kontrolle ndaj subjekteve përgjatë lumit për të identifikuar shkaktarin e ndotjes.
ARMEND MURSELI
