Zjarret në Evropë, zjarrfikësit luftojnë me flakët në Francë dhe Spanjë

25.07.2026 15:41

Zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll zjarret e mëdha pyjore që po përfshijnë Francën dhe Spanjën....

Zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll zjarret e mëdha pyjore që po përfshijnë Francën dhe Spanjën. Rreth 280.000 persona janë evakuuar me urdhër të autoriteteve. Në jugperëndim të Francës, ushtria është mobilizuar për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

“U bëj thirrje banorëve dhe turistëve të evakuohen, por këmbëngul që evakuimi të kryhet në mënyrë të rregullt. Kjo do të thotë se në çdo komunë të prekur nga zjarri, çdo banor, qoftë rezident i përhershëm apo i përkohshëm, do të marrë një njoftim në telefonin e tij celular. Është një mesazh shumë i shkurtër, por me një zile dalluese, që do të sinjalizojë nisjen e evakuimit. Të gjithë duhet të përgatiten, por të largohen vetëm kur t’u jepet urdhri.”, - u shpreh prefektja e rajonit të Akuitanisë së Re, Sofi Brokas.

"Vërejtëm se kishte zjarr. Pamë retë e tymit, por nuk menduam se do të evakuoheshim, sepse zjarri ishte ende mjaft larg. Të gjitha ekipet në terren punuan në mënyrë të shkëlqyer dhe na ndihmuan. Megjithatë, situata është shumë shqetësuese.”, - u shpreh Rob Stindik, turist nga Holanda.

“Shohim përreth nesh se po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme për të shuar zjarret. Ka shumë njerëz që punojnë për t’u siguruar se gjithçka do të përfundojë mirë. Kam besim tek ata.”, - u shpreh Hana Shi, turiste nga Holanda.

Situatë dramatike edhe në Spanjë, ku tre zjarre të mëdha në perëndim të Madridit janë bashkuar në një front të vetëm zjarri, i cili është përtej kapaciteteve të zjarrfikësve. Janë evakuuar më shumë se 60.000 persona, ndërsa qeveria spanjolle ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.

“Kaluam gjithë ditën në ankth, sepse zjarri po afrohej. Rreth orës pesë pasdite morëm paralajmërimin. Të gjithë ishim në shtëpinë e prindërve të mi dhe u evakuuam menjëherë.”, - u shpreh një grua e evakuuar.

“Evakuimi ishte vërtet shumë i shpejtë. Garda Civile filloi të mbërrinte dhe na tha të largoheshim nga shtëpitë tona. Tani jemi të sigurt, por nuk e dimë çfarë do të gjejmë kur të kthehemi.”, - theksoi një grua e evakuuar.

Bashkimi Evropian ka dërguar avionë dhe helikopterë për të ndihmuar Spanjën dhe Francën, pasi pjesa më e madhe e Evropës Jugore po përballet me një seri valësh të të nxehtit dhe thatësirë të zgjatur. Agjencia Evropiane e Mjedisit ka paralajmëruar se ndryshimet klimatike kanë rritur rrezikun e zjarreve pyjore në të gjithë Evropën, ndërsa rreziku më i madh pritet në jug të kontinentit.

ARMEND MURSELI