Mërgimtarët po kthehen, dashuria për familjen më e fortë se pritja në kufi
25.07.2026 15:44
Pushimet verore po kthejnë në vendlindje mërgimtarët që duan ti kalojnë këto ditë vere me të afërmit e tyre....

Pushimet verore po kthejnë në vendlindje mërgimtarët që duan ti kalojnë këto ditë vere me të afërmit e tyre. Fluksi në pikat kufitare është rritur megjithatë lëvizja zhvillohet normalisht.
Në pikën kufitare në Tabanoc ku qëndroi ekipi ynë, vëreheshin radhët e gjata të makinave që prisnin për hyrje. Mërgimtarët janë të lodhur nga rruga e gjatë, një prej tyre madje u gëzua kur pa ekipin e TVM2, sepse prania jonë sipas tij, bëri që punonjësit e pikës kufitare të mos zgjasin pa nevojë procedurat e kontrollit
“Faleminderit që na prisni kështu. Duhet të dilni më shpesh që të kalojmë më kollaj.”, - u shpreh mërgimtari.
Megjithatë edhe sipas deklaratave të mërgimtarëve që ne intervistuam, pritja në kufirin hyrës në Maqedoninë e Veriut nuk ishte edhe aq e gjatë krahasuar me shtetet e tjera nëpër të cilat ata kanë kaluar. Më shumë ankesa për pritje mbi dy orë kishin për kufirin në Kroaci dhe Serbi.
“Vij nga Austria. Nuk prita shumë, vetëm gjysmë ore këtu në Tabanoc. Edhe në kufijtë e tjerë, mirë ishte. Jam nga Opaja dhe këtu do të qëndroj për tre javë.”, - u shpreh një mërgimtar.
“Në kufi prita gjithsej diku tre orë. Unë vij nga Zyrihu dhe kthehem në Gostivar. Kam dy muaj e gjysmë që nuk kam qenë në vendlindje. Më mungon. Edhe në kufijtë e tjerë kishte pritje. Në Kroaci pritëm dy orë, edhe këtu një orë, u bënë tre.” – theksoi një mërgimtar.
“Rrugë e gjatë por kaluam mirë. Në kufi këtu pritëm një orë, tre orë pritje patëm në Kroaci. Unë po shkoj në shtëpi në Gostivar ku do qëndroj dy javë.”, - tha një mërgimtar.
“Po vij nga Gjermania. Këtu në kufi pritëm 40 minuta. Në Serbi pritëm rreth dy orë. Po kthehem në Gostivar te familja në Çajlan.”, - u shpreh një mërgimtar.
Mërgimtarët që zgjedhin ardhjen në vendlindje në rrugë tokësore, shpesh ndodh të udhëtojnë për 2-3 ditë. Por as kilometrat e gjatë e as pritjet e shtuara nëpër kufij, nuk i ndalojnë ata që të paktën për pak ditë të shijojnë bukurinë e vendlindjes së tyre dhe të çmallen me familjarët. Ndoshta kanë ndarë pak ditë edhe për pushime në bregdet pas një viti të gjatë me punë të lodhshme, megjithatë të gjithë ata e dinë, njësoj siç e dimë edhe ne, se vera në shtëpi e shtëpia e mbushur plot, nuk krahasohet me asnjë nga bukuritë e shteteve ku jetojnë.
ABIBE QAILI
