Maqedoni

Gjendja me ujin në Gostivar, IShP: Po analizojmë me kujdes mostrat e marra

25.07.2026 15:51

Instituti i Shëndetit Publik po monitoron nga afër situatën me ujin e pijshëm në Gostivar...

Instituti i Shëndetit Publik po monitoron nga afër situatën me ujin e pijshëm në Gostivar. Ekspertët po ndjekin gjendjen shëndetësore të personave që kanë konsumuar ujin e ndotur, paralelisht vazhdojnë edhe analizat e mostrave të ujit. Deri më tani, IShP ka marrë gjithsej nëntë mostra në Gostivar, një pjesë e tyre kanë rezultuar ende të papërshtatshme për konsumim. 
 
Epidemiologu Dragan Koçinski për TVM2, tha se normalizimi i plotë i gjendjes pritet vetëm pasi qytetarëve t'u sigurohet ujë i sigurt për pije. 
 
“Situatën po e ndjekim në baza ditore përmes të dhënave nga kontrollet e përditshme të personave që paraqiten për ekzaminim, njoftimeve për sëmundje ngjitëse, anketave epidemiologjike, personave të shtruar në spital, si dhe atyre që janë testuar me analiza mikrobiologjike. Sa i përket rezultateve të mostrave kontrolluese të ujit që janë marrë, ato ende nuk janë bërë publike, por ajo që mund të vërehet është se ka edhe mostra të rregullta, edhe mostra të parregullta. Normalizimi i gjendjes, si nga aspekti i ujit të pijshëm, ashtu edhe i shëndetit të qytetarëve, pritet pasi të sigurohet ujë i sigurt për pije për qytetarët.”, - u shpreh për TVM2 epidemiologu Dragan Koçinski.
 
Çfarë ndodh me tokën punuese? Ekspertët: Të analizohet edhe uji për vaditje
 
E derisa autoritetet kompetente sigurojnë se gjendja me ujin për pije në Gostivar do të ndryshojë shpejt, pyetja tjetër që shtrohet është se çfarë ndodh me tokën, kulturat bujqësore dhe me këtë edhe vetë ushqimin e freskët që konsumojnë qytetarët e Gostivarit? Pedologia Tatjana Mitkova në një intervistë për TVM 1 tha se rreziku nuk përmbyllet thjesht me pastrimin e ujit që rrjedh aktualisht nga sistemi i ujësjellësit të qytetit. 
 
“Bujqit janë ata që punojnë me atë ujë, ujisin arat e tyre dhe padashur mund ta infektojnë tokën gjatë vetë procesit të ujitjes. Më pas, sipas meje, më e rrezikshme është ujitja me këtë ujë e kulturave të cilat ne i konsumojmë në gjendje të freskët. Ato kur mblidhen nuk lahen mjaftueshëm, por edhe nëse i lajmë, me cilin ujë po i lajmë aktualisht, sepse për momentin në Gostivar nuk ka ujë të pastër.  Pra, rreziku është përsëri evident përmes frutave dhe perimeve dhe popullsia mund të infektohet përmes organizmave patogjenë për të cilat thuhet se janë të pranishme në sistemin për furnizim me ujë në Gostivar.”, - u shpreh Tatjana Mitkova, pedologe në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit.
 
Mitkova thotë se disa prej patogjenëve që përmes ujit dhe tokës kalojnë te prodhimet bujqësore, prodhojnë metabolite të cilat janë rezistente ndaj antibiotikëve. Prandaj, u apelon autoriteteve të mos anashkalojnë tokën në procesin e analizave, sepse përmes saj, organizmat e dëmshme hyjnë në frutat, perimet dhe drithërat që hamë. U apelon edhe qytetarëve të dëgjojnë vetëm këshillat e ekspertëve dhe sidomos të institucioneve që kryejnë analizat përkatëse, sepse vetëm në bazë të rezultateve dhe parametrave zyrtarë, merren masat që do të aplikohen në ditët në vazhdim.
 
REXHEP QAMILI