Maqedoni

VLEN: Po realizohet interkoneksioni energjetik 400 kV me Shqipërinë

25.07.2026 17:01

Interkoneksioni 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po merr formë konkrete....

Koalicioni VLEN njofton se projekti për interkoneksionin 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po avancon dhe se punimet kanë hyrë në një fazë të rëndësishme të realizimit.
 
Sipas VLEN-it, gjatë inspektimit të punimeve nga drejtori i ShA MEPSO, Burim Latifi, është konstatuar se ndërtimi i nënstacionit 400 kV në Ohër ndodhet në fazën përfundimtare. Nga koalicioni bëjnë të ditur se, pas instalimit të pajisjeve primare dhe sekondare, kanë nisur testimet operative dhe funksionale, ndërsa në linjën e transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan ka filluar montimi i shtyllave të para.
 
VLEN vlerëson se projekti është pjesë e zhvillimit të Korridorit 8, jo vetëm si korridor rrugor dhe hekurudhor, por edhe si korridor energjetik që do të lidhë Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë dhe tregun evropian të energjisë.
 
Sipas njoftimit, përfundimi i projektit pritet të krijojë një lidhje të re strategjike energjetike ndërmjet dy vendeve, të rrisë sigurinë e sistemit të transmetimit, të zgjerojë kapacitetet ndërkufitare dhe të kontribuojë në integrimin e tregut rajonal të energjisë.
 
Nga VLEN theksojnë se Korridori 8 përfaqëson një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe afrimin e vendit me Bashkimin Evropian, duke shtuar se do të vazhdojnë të punojnë në realizimin e projekteve që, sipas tyre, për vite me radhë kanë mbetur të pazbatuara.