Golden State një fitore larg titullit në NBA

15.06.2015 15:08

Vetëm 1 fitore larg historisë. Golden State Warriors triumfoi me rezultatin 104-91 në takimin e 5-t të finales së madhe ndaj Cleveland Cavaliers dhe tashmë është shumë pranë titullit të Nba-së që skuadrës nga Oakland i mungon që nga viti i largët 1975...

Në Oracle Arena Lebron James dhuroi një tjetër performancë mbresëlënëse teksa koleksionoi 40 pikë 14 rebound dhe 11 asiste por i vetëm e kishte të pamundur të udhëhiqte Cleveland-in, drejt një fitoreje me aromë titulli dhe ai që triumfoi ishte sërish Stephen Curry.

Ylli i Warriors realizoi 7-trepikësha duke treguar edhe njëherë tjetër gjithë potencialin e tij ndërkohë që e mbylli sfidën me 37 pikë në total 7 topa të zotëruar nën tabelë dhe 4 asiste.

Në Oakland të Kalifornisë ndeshja nisi si një betejë e vërtetë me dy skuadrat që nuk lëshonin asnjë centimetër mbi parket. Curry nga njëra anë dhe James në krahun tjetër ishin thjeshtë të papërmbajtshëm dhe pjesa e parë e mbyll me vetëm 1 pikë avantazh në favor të Warriors.

Spektakli ishte prezent edhe në periodën e tretë me Golden State që regjistroi një rezultat të pjesshëm 22-17 në këtë fraksion loje duke e zgjatur kryesimin deri në 73-67. Të frymëzuar edhe publiku vendas basketbollistët e Golden State kishin një marsh më shumë në periodën e 4-t, duke zhvilluar një 12-minutësh fantastik për fitoren përfundimtare 104-91.

Me këtë sukses skuadra e trajnerit Steve Kerr tashmë kryeson finalen e madhe të Nba-së 3-2 dhe ndeshje dhe do ti mjaftonte 1 fitore në 2 sfidat e fundit për të fituar titullin e shumëdëshiruar. Takimi i 6-t final mes këtyre dy ekipeve do të luhet në Cleveland të Martën.