Ekonomi
Çmimet e karburanteve në fokus, Mickoski: Nëse do të jetë e nevojshme, do të reagojmë
26.07.2026 15:32
Qeveria po monitoron vazhdimisht lëvizjet e çmimit të naftës në tregjet botërore....

Qeveria po monitoron vazhdimisht lëvizjet e çmimit të naftës në tregjet botërore dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërmarrë masa, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos shqetësohen, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë të zbatojë politika që e mbajnë Maqedoninë vendin me çmimet më të ulëta të benzinës dhe naftës në rajon.
“Po e ndjekim gjendjen me naftën në tregjet botërore dhe ende mbetemi vendi me çmimet bindshëm më të ulëta të benzinës dhe naftës në rajon. Nëse do të jetë e nevojshme, do të reagojmë ashtu siç kemi reaguar edhe deri më tani, edhe pse bëhet fjalë për produkte të bursës, çmimet e të cilave varen nga lëvizjet në tregjet botërore, e jo nga fakti nëse dikush është sipërmarrës më i mirë apo politikan më i mire.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Huaja 7 milionë euro nga M-NAV, lotaria dhe MEPSO, Mickoski: Shkojnë për kthimin e kredisë së autostradave
Mickoski tha se, edhe pse të gjitha vendet e rajonit furnizohen me karburante në të njëjtat kushte të tregut, Maqedonia vazhdon të ketë çmimet më të ulëta me pakicë.
Ndërkohë bëri të ditur se Qeveria ka marrë hua jo vetëm nga Navigacioni i Maqedonisë, por edhe nga Lotaria Shtetërore dhe MEPSO për nevojat e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. I pyetur se për çfarë do të përdoren mjetet e marra, u përgjigj:
“Mjetet do të përdoren për kthimin e kredisë ndaj bankës kineze për autostradat. Dhe po të njëjtat mjete në gusht do t’u kthehen kompanive. Pra, bëhet vetëm një procedurë e zakonshme, e cila është bërë shumë herë në të kaluarën, kështu që në muajin gusht këto mjete do t’u kthehen edhe M-NAV-it, përkatësisht Navigacionit të Maqedonisë, edhe Lotarisë së Maqedonisë, edhe MEPSO-s.”
Me një vendim të miratuar në seancën e 14 korrikut, Qeveria ka marrë hua prej 7 milionë eurosh nga Navigacioni i Maqedonisë (M-NAV). Tre drejtorët, Vladimir Risteski (kryetar i Bordit Drejtues të M-NAV), Milan Koraq dhe Fatmir Zimberi, më 17 korrik kanë nënshkruar vendimin për miratimin e huas afatshkurtër. Ajo duhet të kthehet deri më 30 nëntor 2026. Mjetet jepen hua pa interes.
ARMEND MURSELI
