Projektligji i ri për arsimin e lartë, Sulejmani: Synim, rritja e cilësisë

26.07.2026 16:03

Sulejmani tha se pakoja e ligjeve të arsimit të lartë duhet miratuar...

Projektligji për arsimin e lartë, i cili supozohet të zëvendësojë zgjidhjen aktuale ligjore, u prezantua nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, më 6 shkurt të këtij viti. Më datë 22 prill Qeveria miratoi versionin final të paketës së tre ligjeve që lidhen me arsimin e lartë, përfshirë Ligjin për arsimin e lartë, Ligjin për cilësinë në arsimin e lartë dhe atë për hulumtimet shkencore. Por, edhe përskaj vështirësive për ta kaluar edhe filtrin e Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport, i njëjti e kaloi edhe këtë pengesë, dhe tani mbetet vetëm filtra e seancës parlamentare. 
 
Por, edhe përskaj reagimeve të opozitës, zëvendës ministri i Arsimit, Driton Sulejmani, tha se pakoja e ligjeve të arsimit të lartë duhet miratuar, sepse sipas tij, ajo synon të rrisë cilësinë e arsimit të lartë dhe standardet akademike.
 
“Përmes pakove ligjore të arsimit të lartë që përfshinë tre ligje: Ligjin për arsimin e lartë, Ligjin për hulumtimet shkencore dhe Ligjin për rritjen e kualitetit të arsimit të lartë, qëllimi ynë është që të ndikojmë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë. Unë mendoj se kjo ka qenë një prej ligjeve më transparente të sjella ndonjëherë. Ka një vit e gjysmë që punohet në përpilimin e këtyre propozim-ligjeve, dhe dje ligji i ka kaluar edhe Komisionin e Arsimit edhe Komisionin ligjvënës, dhe tani do të jetë në seancë plenare. Në këtë aspekt kemi pranuar edhe sugjerimin e opozitës për të pasur edhe një debat publik në kuadër të Parlamentit të RMV-së.”, - u shpreh për TVM2 zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani.
 
Por, disa nga risitë e publikuara deri më tani kanë shkaktuar reagime në komunitetin akademik, por edhe nga partitë politike të opozitës, të cilat në raste të caktuara kanë kërkuar edhe tërheqjen e ligjit të ri, sepse sipas tyre, zgjidhja e re ligjore do të ishte e dëmshme për sistemin e arsimit të lartë në vend. Por, kështu nuk mendojnë nga MASh-i. Zëvendës ministri Sulejmani për TVM2 ka theksuar se ky ligj sjell shumë risi të dobishme. 
 
“Ajo që e ofron si risi Ligji për arsimin e lartë ka më shumë cilësi, por do t’i përmend vetëm disa që janë më kryesore, siç janë: Ofron programe studimi të organizuara në module, që ligji paraprak nuk e ka pasur, mundësi për arsim të lartë dual, mësim praktik në arsimin e lartë me përqindje prej 20 deri më 40 për qind, mikro certifikata për avancimin e aftësive, regjistrimi në arsimin e lartë përmes maturës shtetërore, maturës profesionale dhe asaj artistike, kompetencat e personelit akademik më kompetentë, kemi ndryshime në mandatin e rektorit ka qenë 3 vite, tani do të jetë 4-vjeçar, do të rriten dukshëm të drejtat e studentëve, edhe një pjesë e rëndësishme në planin financiar do të ketë komponentë zhvillimore për nxitjen e rezultatit të jashtëzakonshëm, kjo nënkupton që në bazë të performancës që do të kenë Universitetet, për vitin e ardhshëm, do të kenë mundësi për ta rritur buxhetin e tyre.”, - theksoi Sulejmani për TVM2. 
 
Sulejmani krejt në fund tha se ky është edhe i vetmi ligj i cili ka realizuar edhe disa diskutime publike me të gjithë botën akademike, dhe ka marrë për bazë sugjerimet të cilat kanë ardhur nga Universitetet, por edhe ka marrë për bazë edhe sugjerimet e opozitës, praktikë kjo e cila nuk ka qenë në të kaluarën.
 
FITIM KRYEZIU