Ndotja e ujit në Gostivar, Mickoski: Nesër uji pritet të jetë i përdorshëm

26.07.2026 16:04

Banorët e Gostivarit pritet që nga e hëna të kenë sërish ujë teknikisht të rregullt për përdorim....

Banorët e Gostivarit pritet që nga e hëna të kenë sërish ujë teknikisht të rregullt për përdorim. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se analizat e fundit kanë rezultuar pozitive dhe se institucionet kompetente pritet ta konfirmojnë zyrtarisht normalizimin e gjendjes. Ai tha se ekipet po vazhdojnë procesin e hiperklorimit të rrjetit të ujësjellësit.
 
“Ekipet e Ujësjellësit të Shkupit janë në Gostivar dhe punojnë në hiperklorimin e instalimeve. Rezultatet e analizave tashmë janë të mira dhe pres që nesër të publikohet njoftimi se uji është teknikisht i rregullt për përdorim. Brenda një afati rekord prej një jave problemi u sanua.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Mickoski tha se përgjegjësia për atë që ndodhi në Gostivar është objekt i procedurës së Prokurorisë Publike, ndërsa hodhi poshtë edhe kritikat e opozitës, duke e akuzuar atë për përhapje të panikut dhe dezinformatave. Megjithatë, opozita nuk pajtohet me vlerësimet e Qeverisë.
 
LSDM: Qeveria duhet të jep përgjegjësi 
 
LSDM vlerëson se deklaratat e ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, për reagim të vonuar të institucioneve përbëjnë pranim të dështimit në menaxhimin e situatës. Partia opozitare kërkon përgjegjësi politike, dorëheqje dhe kontrolle urgjente të cilësisë së ujit në të gjithë vendin.
 
“Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, pranoi se 'dritat e kuqe' u ndezën me vonesë në Gostivar. Ky pranim nuk e zvogëlon fajin, por e konfirmon atë. Mbi katër mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Kërkojmë përgjegjësi të plotë, dorëheqje dhe kontrolle urgjente të cilësisë së ujit në të gjithë vendin.”, u shpreh Renata Mlladenovska nga LSDM.
 
Ndërsa institucionet presin rezultatet, hetimet për shkaqet e epidemisë hidrike në Gostivar vazhdojnë në Prokurorinë Publike, e cila pritet të përcaktojë nëse do të ketë përgjegjësi për rastin.
 
ERSAN PAJAZITI