Maqedoni

Infrastrukturë, përurohet rruga "Dardani" në Tetovë

26.07.2026 16:27

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me kabinetin e tij, promovoi rrugën "Dardani"...

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me kabinetin e tij, promovoi rrugën "Dardani". Sipas Kasamit, kjo rrugë do ta lehtësojë dukshëm qarkullimin e banorëve të kësaj zone. Ai theksoi se, përveç asfaltimit, në këtë rrugë janë realizuar investime edhe në rrjetin e ri të kanalizimit, ujësjellësit dhe ndriçimit publik.
 
“Duke pasur parasysh faktin që kjo zonë ka qenë e lënë pas dore për shumë vite dhe shumë dekada, tanimë edhe me këtë rrugë, por edhe me investimet e tjera që janë bërë në shtratin e lumit dhe investimet për rregullimin e pjesës rreth shtratit të lumit, dalëngadalë kjo pjesë e qytetit po transformohet në një zonë elitare të qytetit. Me këtë investim përfshihet kjo rrugë me një gjatësi rreth 300 metra dhe me gjerësi rreth 6 metra, me një investim në vlerë prej rreth 150.000 eurosh. Kjo zonë e qytetit, që është shumë afër qendrës, dalëngadalë po e merr rëndësinë e saj, po e merr peshën e vet dhe dalëngadalë po bëhet një zonë qendrore, ashtu siç e ka hije.”, u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Ndërkohë, në Tetovë ka edhe disa rrugë të tjera që presin ndërhyrje nga komuna. Po ashtu, drejt përfundimit janë punimet në rrugën e fshatit Xhepçisht, si dhe në rrugën e Reçicës së Madhe, e cila lidhet me pikën e pagesës në autostradën Tetovë–Gostivar.
 
VISAR SADIKI