Maqedoni

Përplasje politike për ujin në Gostivar, LSDM: Përgjegjësi penale nga ministri Klekovski

27.07.2026 13:47

Ngjarjet e fundit në Gostivar kanë ashpërsuar përplasjet politike....

Ngjarjet e fundit në Gostivar, ku mbi 4.000 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas kontaminimit të ujit me fekale, kanë ashpërsuar përplasjet politike. Sipas LSDM-së, vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe 125 raste të reja me simptoma. Ata kërkojnë përgjegjësi penale nga ministri Klekovski, drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Marija Andonovska, si dhe drejtuesit e Qendrave Lokale të Shëndetit Publik.
 
“Mbi 4.070 qytetarë në Gostivar deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të ujit të kontaminuar me fekale. Këto shifra janë prova më e fortë e kolapsit të plotë të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e gjësë më të rëndësishme - shëndetit të qytetarëve. Vetë ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, pranoi se "dritat e kuqe" në Gostivar u ndezën shumë vonë. Ky pranim nuk e zvogëlon fajin. Përkundrazi, e konfirmon atë. Ne kërkojmë përgjegjësi penale nga ministri Klekovski, drejtoresha Marija Andonovska dhe drejtorët e Qendrave lokale të Shëndetit Publik, ndërsa Prokuroria Publike duhet të veprojë.”, - deklaroi Maja Borozan nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE: LSDM po përhap gënjeshtra
 
Por, për VMRO-DPMNE-në, LSDM-ja po përhap gënjeshtra për skandalin e ujit në Gostivar. Sipas tyre, LSDM-ja, jo vetëm që po përhap gënjeshtra, por po tregon edhe injorancë se si funksionon sistemi dhe kush është përgjegjës për çfarë, duke kërkuar përgjegjësi në adresën e gabuar.
 
“Për ditë të tëra kemi qenë dëshmitarë se si LSD-ja e Venko Filipçes dhe miqtë e tij kanë përhapur gënjeshtra për skandalin e ujit në Gostivar. Le t'i informojmë, se kontrolli i cilësisë së ujit kryhet nga institucionet kompetente lokale. Dhe, qeverisja lokale në Gostivar është kompania e LSD-së, BDI-së dhe Arben Taravarit. Kryetari i Bashkisë së Gostivarit, Valbon Limani, është një kuadër i këtij grupi. Pra, do t'ua përsërisim se duhet të kërkojnë përgjegjësi brenda radhëve të tyre.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.  
 
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se në Gostivar po punohet pa ndërprerje për riparimin e dëmeve, po sigurohet ujë teknikisht i shëndoshë për higjienën personale dhe shtëpiake, dhe këtë javë ose drejt fundit të javës, pritet që edhe Gostivari të ketë ujë të pijshëm të sigurt.
 
FITIM KRYEZIU