Rajon

Konjufca: LDK-ja ka treguar gatishmëri për bashkëpunim

27.07.2026 14:13

Konjufca, ka deklaruar se LDK ka shfaqur një gatishmëri më të madhe për të bashkëpunuar në tejkalimin e krizës politike...

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur një gatishmëri më të madhe për të bashkëpunuar në tejkalimin e krizës politike, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, sipas tij, ka mbetur në qëndrimet e mëparshme. Sipas Konjufcës, bisedimet me PDK-në nuk sollën ndryshim në qëndrimet e saj, ndërsa te LDK-ja u pa një gatishmëri më e madhe për të gjetur një zgjidhje politike.
 
“Sa i përket takimeve që u zhvilluan me PDK-në dhe LDK-në, u pa qartë se PDK-ja vazhdon të qëndrojë në pozicionet që i kemi parë edhe më herët. Ato qëndrime u shprehën edhe në takimin me kryeministrin Kurti. Kurse, sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, përshtypja jonë është se aty, përkundër herëve të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë mendoj se opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin. Sa më i madh të jetë vullneti politik, sa më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar të ketë, aq më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje, për pozicionet e ndryshme dhe për përgjegjësitë e ndryshme se si do të ndahen ato. Kurse atë që e kemi parë, sidomos prej zgjedhjeve të dhjetorit, ka qenë një bllokadë totale.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Konjufca tha se pas zgjedhjeve të dhjetorit vendi kishte hyrë në një bllokadë të plotë politike, ndërsa, sipas tij, synimi i opozitës ishte që vendi të shkonte sërish në zgjedhje. Ai gjithashtu tha se takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka krijuar një atmosferë më pozitive për dialog.
 
FITIM KRYEZIU