Kuvend, deputetët përballen për ribalancin e buxhetit
27.07.2026 15:07
Ribalanci i buxhetit në seancë plenare....

Ribalanci i buxhetit në seancë plenare. Qeveria pretendon se korrigjimet janë duke u zhvilluar jo në mungesë likuiditeti, por për të siguruar më shumë mjete për investime kapitale, duke rritur mbështetjen për bujqësinë, mbrojtjen sociale, shëndetësinë, arsimin dhe komunat. Ministrja e Financave theksoi se Qeveria po i përshtatet edhe nevojave të paparashikuara në Gostivar.
“Janë siguruar gjashtë milionë denarë për transportin e ujit për popullatën e Gostivarit për shkak të epidemisë së shpallur; një milion denarë për Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve; 10 milionë denarë për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për rindërtimin e fakulteteve; 12 milionë denarë për Prokurorinë Publike për vazhdimin e licencës së sigurimin e softuerit; 170 milionë denarë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për ndërtimin e qendrave të shpërndarjes në Shkup dhe Strumicë, si dhe për rinovimin dhe përshtatjen e objektit IPARD; si dhe 80 milionë denarë për Agjencinë për Rezerva të Mallrave.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska.
Përderisa pushteti e paraqet ribalancin si zhvillimor, opozita e cilëson si jo të përballueshëm me sfidat ekonomike. ASh-ja opozitare konsideron se i njëjti nuk garanton zhvillim të mirëfilltë, dhe pas disa muajve mund të ketë ribalanc të ri.
“Ky ribalanc rrit shpenzimet pa na bindur neve se rrit sigurinë ekonomike, rrit huamarrjen pa na bindur se e rrit prodhimin, premton investime po nuk garanton realizimin e tyre, flet për zhvillim por vazhdon t’i lërë shumë komuna dhe shumë qytetarë jashtë prioriteteve.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Nga VMRO-DPMNE shpien debatin në nivel lokal te epidemia në Komunën e Gostivarit dhe projektin e parealizuar të ujësjellësit.
“Ku kanë shkuar ato para, të cilat janë dhënë hua për Komunën e Gostivarit para pesë e më shumë viteve, në vlerë prej 7 milionë 132 mijë euro. Paratë kanë qenë për ndërtimin e rezervarit me kapacitet më të madh për furnizim më të madh me ujë.”, - u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Socialdemokratët theksuan se ekonomia po përballet me disbalanc midis të hyrave dhe shpenzimeve, duke e kërcënuar shtetin nga huamarrje të reja.
“Shpenzimet rriten më shpejtë se të ardhurat dhe pasoja është direkte: deficiti buxhetor rritet nga 39.2 miliard denarë në 46.3 miliard denarë; gjegjësisht nga 3.5% në 4.1% nga prodhimi i brendshëm bruto. Kjo nuk është vetëm e dhënë statistikore. Kjo do të thotë se shteti do të duhet plotësisht të marrë hua.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Sipas projeksioneve qeveritare, ribalanci i vitit 2026 parashikon që të hyrat të rriten për 379.2 miliardë denarë, ndërkaq shpenzimet për 425.8 miliardë denarë. Investimet rriten rreth 46 miliardë denarë, me fokus në rrugë, hekurudha, shëndetësi, arsim dhe energjetikë. Rritja ekonomike mbetet 3.5%, ndërkaq inflacioni në 4.5%.
MERAL ISMAILI
