Maqedoni
Maqedonia në fazën e verdhë, temperaturat e larta deri më 37 gradë celsius
15.06.2015 15:47
Maqedonia, prej sot do të përfshihet nga temperaturat e larta, të cilat e definojnë fazën e verdhë...

Bëhet fjalë për temperatura deri në 37 gradë, të cilat janë më të larta për këtë kohe të vitit.
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike theksuan se temperaturat e matura në orën 12 të ditës në Ohër kanë arritur deri në 25 gradë, në Shkup 30 dhe në Gjevgjeli 33 gradë celsius, ndërsa gjatë ditës pritet të arrijnë deri më 37 gradë, derisa UV indeksi do të jetë 8.
“Presim që në fazën e verdhë të jetë rajoni i Osogovës, Malishevës, rajoni i Pollogut, Ohrit, Prespës, ku në këto rajone presim temperatura më të larta gjatë kësaj periudhe kohore. Afër fazës së verdhë është gjithashtu edhe rajoni i Shkupit, por edhe rajoni i Pellagonisë”- deklaroi Lence Rizova nga Enti Hidrometeorologjik.
Për shkak të temperaturave të larta, nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoni apelojnë të respektohen rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, duke shmangur ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell në periudhën prej orës 11 deri në orën 17, konsumimin e ushqimit të lehtë dhe pirje sa më shumë të lëngjeve. Kujdes të veçantë duhet të kenë më të moshuarit, njerëzit e sëmurë kronik.
Mot me diell dhe i ngrohtë do të mbajë edhe nesër, ndërsa të mërkurën dhe të enjten pritet mot jostabil, me reshje të shiut dhe bubullima në orët e pasdites, derisa temperaturat pritet të ulen për shtatë deri në nëntë gradë celsius.
Ndërsa për ata që në ditët me temperatura të larta do të kalojnë në sheshin e kryeqendrës, do të kenë mundësi të freskohen në fontanën e saporregulluar.
REJHANE BUSHI-METAJ
