Lindja e Mesme, ShBA - Iran ndalën sulmet për disa ditë

27.07.2026 15:41

Pavarësisht uljes së përkohshme të tensioneve...

Pavarësisht uljes së përkohshme të tensioneve, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të brishta. Të dyja palët kanë ndalur sulmet për disa ditë, ndërsa ndërmjetësuesit po vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e dialogut.

Irani deklaroi sot se nuk ka kërkuar rifillimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe se nuk ka negociata të drejtpërdrejta mes dy vendeve.

"Po, ndërmjetësit mund të na përcjellin mesazhe nga pala amerikane në lidhje me zhvillimet e vazhdueshme në rajon. Por aktualisht, ne nuk jemi të angazhuar në asnjë negociatë me Shtetet e Bashkuara.", - deklaroi ministri i Jashtëm Iranian, Esmail Baqei.

Teherani theksoi se qëndrimi i tij për Ngushticën e Hormuzit mbetet i pandryshuar dhe se do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij strategjike.

Nga ana tjetër, administrata amerikane ka bërë të ditur se ka pezulluar përkohësisht sulmet për t’i dhënë hapësirë diplomacisë.

Sipas Uashingtonit, çdo përparim do të varet nga gatishmëria e palëve për dialog, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të reagojnë nëse tensionet përshkallëzohen sërish.

Ndërkohë, Katari, Omani dhe Pakistani vazhdojnë ndërmjetësimin për ruajtjen e qetësisë dhe krijimin e kushteve për bisedime.

Edhe pse sulmet janë ndërprerë për disa ditë, ende nuk është arritur një armëpushim formal apo një marrëveshje politike mes Uashingtonit dhe Teheranit. (Sanije Duraku, TVM2)