Maqedoni
Komuna e Zhelinës në Muajin e Ramazanit solidarizohet me familjet në nevojë
15.06.2015 16:58
Në Komunën e Zhelinës sot kanë arritur disa tone paketa ushqimore, të cilat do të shpërndahen gjatë Muajit të Ramazanit për 333 persona, gjegjësisht 158 familje...

Ky është viti i dytë me radhë që Komuna e Zhelinës solidarizohet me familjet në nevojë. Për realizimin e këtij projekti humanitar, Komuna e Zhelinës ndan 3 milion e 800 mijë denarë, ndërsa rreth 600 mijë denarë janë participuar nga kompanitë private.
“Shuma apo vlera që do të ndahet në tre faza, tani për Kurban Bajram, para Bajramit të Vogël dhe para Vitit të Ri është në vlerë prej 3.800.000 denarësh, të cilat rreth 600.000 mijë janë nga kompanitë, kurse pjesa tjetër nga buxheti i komunës, gjegjësisht të miratuara nga Këshilli Komunal”- deklaroi kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.
Afaristët që janë përfshirë në këtë aksion humanitar shpresojnë se në të ardhmen do të rrisin mjetet për aktivitete të këtilla, që të mund të përfshihen të gjithë skamnorët.
“Po na thanë kompanitë e Komunës së Zhelinës, jemi bashku për të mbledhur një ndihmë simbolike, që ne mendojmë se nuk është e mjaftueshme, mbas rrethanave për momentin është kështu si është, dhe shpresoj që në të ardhmen të zmadhojmë, me siguri gjithë skamnorët nuk do të përfshihen, mirëpo komuna i ka paraparë ata që kanë më shumë nevojë”- tha afaristi, Hamdi Latifi.
Ky aktivitet do të vazhdojë të realizohet në dy faza. Faza e fundit do jetë në dhjetor të këtij viti, theksojnë nga Komuna e Zhelinës.
VISAR SADIKU
