Maqedoni

Trajanovski: në 2017, “Shkupi, qytet i çiklizmit”

15.06.2015 16:21

Qyteti i Shkupit prezantoi sot investimet në përmirësimin e infrastrukturës për shfrytëzimin e biçikletave dhe investimet në këtë drejtim që parashihen deri në vitin 2017...

Qyteti i Shkupit ka 60 kilometra korsi për biçikleta përreth rrugëve dhe 21 kilometra rreth lumit Vardar, theksojnë nga pushteti lokal i kryeqendrës.
 
“Me projektin “Shkupi, qytet i çiklizmit 2017”, do të formësohen 4 korsi kryesore për biçikleta, që do të shtrihen në drejtimin lindje-perëndim dhe 7 konektorë që do të shtrihen në drejtimin veri-jug. Korsia një, prej 8 kilometrash, do të jetë në relacionin Gazi Babë, Qendër, Karposh, që do të realizohet gjatë vitit 2015. Korsia e dytë, prej 11 kilometrash, që do të përfundohet në vitin 2016, Aerodrom, Qendër, Karposh Gjorçe Petrov. Korsia e tretë prej 8.5 kilometrash, e cila do të përfundojë në vitin 2017, në relacionin Kisella Vodë, Qendër, Karposh dhe korsia e katërt, e cila do të ketë 5 kilometra dhe do të realizohet deri në vitin 2017, në relacionin Butel, Çair, Qendër”- deklaroi kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Korsitë për biçikleta me kërkesë të çiklistëve, do të ndërtohen me asfalt, e jo me pllaka bekatoni, bën të ditur kryetari i Shkupit, i cili njëherit kërkoi mbështetje edhe nga komunat e Shkupit, për përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e transportit me biçikleta, pasi, siç tha ai, kjo paraqet transport alternativ, me çka, mes tjerash, do të kontribuohej edhe në ruajtjen e ambientit.
 
GYLTENE SINANI