Botë
Përplasje të reja në OKB mes Rusisë dhe Ukrainës pas sulmeve të fundit dhe përshkallëzimit të konfliktit
28.07.2026 14:00
Presidenti i Ukrainës ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara...

Presidenti i Ukrainës ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ku është planifikuar të zhvillojë një sërë takimesh me presidentin amerikan Donald Tramp, anëtarë të administratës së tij dhe përfaqësues që mbështesin Ukrainën. Sipas Zelenskit, prioriteti kryesor i vizitës është forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore për t’iu kundërvënë sulmeve ruse, si dhe thellimi i partneritetit strategjik mes Kievit dhe Uashingtonit. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi një debat për Ukrainën pas sulmeve të 18 dhe 19 korrikut, të cilat Kievi i cilësoi si ndër më të mëdhatë që nga fillimi i luftës. Në seancë u theksua se sulmet ruse rrezikojnë edhe më tej furnizimin global me ushqim dhe energji.
“Për më shumë se katër vjet, lufta në Ukrainë ka tronditur rezervat globale të energjisë dhe ushqimit. Tani që Ukraina ka hyrë në sezonin e ri të korrjeve, përshkallëzimi i sulmeve ruse ndaj porteve dhe anijeve tregtare gjatë javëve të fundit po rikthen shqetësimet për pasojat rajonale dhe globale të kësaj lufte.”, - deklaroi kryetarja për Evropën dhe Azinë Qendrore, OKB, Kayoko Gotoh.
Ambasadorët e palëve në konflikt shkëmbyen akuza të ndërsjella. Diplomati rus deklaroi se Moska nuk do të ndryshojë kursin e saj në luftë dhe nuk do të nënshkruajë marrëveshje që nuk përmbushin interesat e Rusisë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ukrainas u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Dëshirojmë të theksojmë se Rusia nuk i ka ndryshuar planet e saj dhe do të vazhdojë t’u përgjigjet veprimeve armiqësore të regjimit në Kiev, të mbështetur nga Perëndimi. Ne nuk do të pranojmë asnjë marrëveshje që nuk merr parasysh interesat kombëtare të Rusisë.”, - theksoi zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e Rusisë në OKB, Anna Evstigneeva.
“U bëjmë thirrje partnerëve tanë të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo kërkon rritje të mbështetjes për Ukrainën, shtim të presionit ndaj Rusisë dhe dobësim të mëtejshëm të kapaciteteve të saj ushtarake. Ka ardhur koha për veprim, jo vetëm për diskutime.”, - u shpreh zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës në OKB, Volodymyr Pavlychenko.
Gjatë 24 orëve të fundit, gjithsej 19 persona, përfshirë shtatë fëmijë, janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse në rajonin e Sumyt. Nga ana tjetër, rajoni i Moskës u sulmua me afro 400 dronë. Autoritetet ruse njoftuan se pjesa më e madhe e dronëve ukrainas u interceptuan në distancë të madhe, ndërsa mbi 80 prej tyre u rrëzuan në afërsi të kryeqytetit rus.
FARIJE DAUTI BAKIU
