Vrasja në lagjen Gjorçe Petrov, i akuzuari: nuk e kisha për qëllim ta vras Angel Petkovskin

15.06.2015 17:06

Nuk e kisha për qëllim ta vras Angel Petkovskin, ka deklaruar sot para trupit gjykues i akuzuari, Naser Eshtrefi, duke sqaruar në detaje se çka ka ndodhur më 19 maj në lagjen Gjorçe Petrov...

Ai para trupit gjykues pohoi se atë ditë me vete ka pasur vetëm telefonin celular, cigaret dhe pak të holla. Eshtrefi, i cili në kohën e kryerjes së aktit ka pasur 18 vjet, sqaroi se nuk ka pasur thikë, ndërsa habit fakti se si e njëjta u gjet aty.

Pas tentimit për të marrë biçikletën në oborrin e familjes Petkovski, ai është drejtuar rrugës kah Spitali Evropian i Syve, që çon në Saraj, i bindur se askush nuk e ndjek pas. Në arritje tek ura afër spitalit shef Angel Petkovskin, i cili të akuzuarin e ka kapur për fyti dhe me britma ka kërkuar të tregojë se kush është dhe më pas e ka goditur. Ndërkohë, është paraqitur edhe i ati i Angel Petkovskit, i cili ka filluar ta qëllojë me dru të akuzuarin, i cili është shtrirë për toke.

“Të qëlluarat nuk kishin të ndalur, pashë një thikë dhe nuk dija më se kë po qëlloja”- është shprehur para trupit gjykues i akuzuari, Naser Eshtrefi.

Naseri atëherë u largua nga vendi i ngjarjes dhe u paraqit në stacionin policor. Po gjatë këtij procesi gjyqësor, me herët u shpalosën edhe video-incizime nga kamerat e sigurisë të Spitalit Evropian të Syve.

Aty vërehej se Angel Petkovski së bashku me babanë e tij pritën të akuzuarin, i cili pak më parë kishte tentuar t’u vjedhë biçikletën. Pala mbrojtëse në këtë rast ka dëshmuar se i akuzuari pas ngjarjes ka pasur lëndime të rënda fizike dhe gjendje të vështirë psikike. Mbrojtja në këtë rast disa herë ka deklaruar se i akuzuari aktin e ka kryer në vetëmbrojtje dhe në gjendje afekti. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)