Botë

Zjarret në Evropë, Bashkimi Evropian mobilizon ndihmë të shpejtë

28.07.2026 14:32

Zjarret që kanë përfshirë Francën dhe Spanjën kanë dalë jashtë kontrollit...

Zjarret që kanë përfshirë Francën dhe Spanjën kanë dalë jashtë kontrollit, ndërsa Evropa Perëndimore përgatitet për një valë të re të nxehti me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për rrezik ekstrem nga zjarret dhe për këtë shkak janë evakuuar qindra mijëra banorë nga zonat e prekura. Autoritetet në Bordo bëjnë të ditur se janë përgatitur për çdo skenar, pasi flakët kanë arritur rreth 15 kilometra larg qytetit.
 
"Jam i lodhur, shumë i lodhur nga kjo betejë që po vazhdon prej pesë ditësh. Siç e shihni, gjithçka ende nuk ka përfunduar. Edhe pse situata duket më e qëndrueshme, ka ende vatra aktive që mbeten shumë të rrezikshme.", - theksoi një zjarrfikës në Bordo, Vilfrid Shnaider.
 
Zjarrfikësit francezë për herë të parë po përballen me një fenomen të rrallë dhe tepër të rrezikshëm, të njohur si "retë e zjarrit", të cilat mund të shkaktojnë shpërthimin e zjarreve të reja. Përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, Bashkimi Evropian ka mobilizuar ndihmë për zonat e prekura.
 
"Janë angazhuar të gjitha burimet në dispozicion. Zjarrfikës nga e gjithë Franca ndodhen në terren, me rreth 20 njësi operacionale, mjete ajrore të papara më parë dhe mbi 1.500 ushtarakë të dislokuar.", - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Në Spanjë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme kombëtare. Sipas raporteve të policisë, zjarri që konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë në historinë e vendit, pranë Madridit, mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i paautorizuar i makinerive të rënda në një zonë pyjore.
 
"Zjarri ishte i pandalshëm. Mungonte koordinimi dhe burimet e nevojshme. Njerëzit nuk dinin ku të shkonin për të luftuar flakët. Ai mund të ishte ndalur që në zonat malore.", - u shpreh një zjarrfikës në Spanjë, Oskar Ruiz.
 
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat në mbarë botën, ndërsa Evropa mbetet kontinenti që po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale.
 
"Duhet ta dëgjojmë shkencën. Duhet të kemi një angazhim kombëtar për përballimin e krizës klimatike dhe të përqendrohemi te parandalimi. Kjo do ta bënte reagimin më pak të rëndë dhe procesin e rindërtimit e rimëkëmbjes më të shpejtë dhe më efektiv.", - theksoi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez. 
 
Nga Komisioni Evropian vlerësojnë se nevojiten më shumë burime financiare dhe njerëzore, si dhe një menaxhim më i mirë i pyjeve, për të parandaluar katastrofa të tilla në të ardhmen.
 
FARIJE DAUTI BAKIU