Maqedoni

Mickoski: Protokollet nuk janë pjesë e kornizës negociuese

28.07.2026 15:05

Protokollet me Bullgarinë nuk janë dhe nuk duhet të jenë pjesë e Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian....

Protokollet me Bullgarinë nuk janë dhe nuk duhet të jenë pjesë e Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian. Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se ky ka qenë qëndrimi i Qeverisë që nga dita e parë. Sipas Mickoskit, autoritetet bullgare pretendojnë të kundërtën, duke u thirrur në marrëveshjen e arritur me Qeverinë e kaluar. Kryeministri akuzoi Qeverinë e kaluar të LSDM-së dhe BDI-së, si dhe ekipin e atëhershëm negociues, se kanë pranuar obligime që, sipas tij, sot përdoren nga pala bullgare si argument se protokollet janë pjesë e Kornizës Negociuese.
 
“Ne, si Qeveri, nuk vlerësojmë që protokollet janë pjesë dhe nuk duhet të jenë pjesë e Kornizës Negociuese. Ne e kemi pasur këtë mendim që nga dita e parë deri më sot. Fatkeqësisht, pikëpamja e palës tjetër është krejtësisht e ndryshme, dhe ajo pikëpamje është e tillë, për shkak të ekzibicioneve dhe kapitullimit të Qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së dhe ekipit negociues.”, - deklaroi  kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Socialdemokratët reagojnë ndaj deklaratave te kryeministrit Mickoski. Sipas tyre, ekzistojnë dy Mickoski, një për publikun vendas dhe tjetri për atë ndërkombëtar.
 
"Njëri Mickoski flet në Maqedoninë e Veriut, tjetri jashtë vendit. Njëri ishte kundër NATO-s, tjetri sot pretendon se Aleanca është gjëja më e mirë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Njëri premtoi të shfuqizojë Marrëveshjen e Prespës, tjetri sot e vlerëson atë si një sukses diplomatik.", thuhet në reagimin e LSDM-së. 
 
Deklarata e Mickoskit vjen në kohën kur në Parlamentin Evropian po zhvillohet procedura për miratimin e amendamenteve në raportin për Maqedoninë e Veriut.  
 
SANIJE DURAKU