Struga mirëpriti mërgatën me këngë dhe valle
28.07.2026 15:24
Nën tingujt e këngës popullore shqiptare u organizua ceremonia e mirëseardhjes për mërgatën strugane....

Nën tingujt e këngës popullore shqiptare dhe interpretimin e Ansamblit Shtetëror Shqiptar të Maqedonisë së Veriut, në Pallatin e Kulturës në Strugë u organizua ceremonia e mirëseardhjes për mërgatën strugane.
"Ishte një dedikim për mërgimtarët, sepse ata bëjnë shumë për ne, ndërsa ne bëjmë pak për ta. Kjo është një nismë që do ta vazhdojmë si traditë, që një ditë gjatë verës t'u mbetet atyre për ta shijuar së bashku me ne. Sonte kishim Ansamblin Shtetëror Shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Ishin perfektë dhe mërgata e shijoi këtë mbrëmje.", - deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Në mesin e të pranishmëve ishin edhe përfaqësues të diasporës shqiptare nga vende të ndryshme.
"Ju falënderoj për këtë organizim. Falënderoj Komunën e Strugës që u kujtua edhe për ne, të bëjë të paktën diçka për mërgimtarët. Mbrëmja e sotme më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë, sepse kishim të bënim me një trupë shumë profesionale. Vitin tjetër mund të marrim pjesë edhe ne nga mërgimi, për të dëshmuar se edhe ne nuk i harrojmë traditat.", - theksoi kryetari i Shoqatës "Bashkimi", Zvicër, Guximtar Alushi.
"Është kënaqësi e veçantë që ky organizim spektakolar i Komunës së Strugës solli në qytetin tonë të bukur edhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare. Si person që jetoj në diasporë, e vlerësoj shumë këtë nismë dhe mendoj se qytetarët shqiptarë duhet t'i vlerësojnë shumë këto aktivitete. Shpresoj që organizime të tilla të ketë edhe në vazhdim.", - u shpreh gazetari i Drinit në New Jersey, Faton Arifi.
Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes Strugës dhe mërgatës së saj, duke krijuar një urë më të fortë bashkëpunimi përmes kulturës dhe traditës.
FITORE ISTREFI
