Rriten rastet e sëmundjeve nga mushkonjat
28.07.2026 15:25
Në Maqedoni, gjatë këtij viti janë regjistruar katër raste të malaries, tre raste të dengës dhe një rast i virusit Zika...

Në Maqedoni, gjatë këtij viti janë regjistruar katër raste të malaries, tre raste të dengës dhe një rast i virusit Zika, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Ai u bëri thirrje qytetarëve që udhëtojnë në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian të ndjekin rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vaksinim dhe profilaksë.
“Pas dy vitesh pa raste të regjistruara të malaries, këtë vit kemi katër raste, të gjitha të lidhura me udhëtime në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian, përkatësisht në Maldive dhe Zanzibar. Janë regjistruar gjithashtu tre raste të dengës dhe një rast i virusit Zika, të cilat po ashtu lidhen me udhëtimet në Maldive.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Ai paralajmëroi se virusi Zika është veçanërisht i rrezikshëm për gratë shtatzëna, denga mund të shkaktojë ethe hemorragjike, ndërsa format më të rënda të malaries mund të jenë edhe vdekjeprurëse.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që udhëtojnë në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian, veçanërisht në Zanzibar dhe Maldive, të respektojnë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vaksinim dhe profilaksë. Në qendrat e shëndetit publik janë të disponueshme të gjitha rekomandimet e nevojshme. Edhe pse rreziku është i vogël, është e rëndësishme që qytetarët të marrin masa paraprake.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Në vend janë regjistruar edhe tetë raste të etheve të Nilit Perëndimor. Dy pacientë janë liruar për mjekim në shtëpi, ndërsa gjashtë të tjerë vazhdojnë të trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Shumica e rasteve janë regjistruar në Shkup dhe Veles, ndërsa vetëm një rast lidhet me udhëtim në Greqi.
Autoritetet kanë urdhëruar kontroll të programeve të dezinsektimit në komuna dhe kanë kryer spërkatje shtesë rreth zonave ku jetojnë të prekurit. Ministri theksoi se mushkonjat që transmetojnë këto sëmundje gjenden edhe në Maqedoni, ndaj qytetarët duhet të përdorin mjete mbrojtëse, veçanërisht pranë ujërave të ndenjura. Ai shtoi se të gjithë pacientët me ethet e Nilit Perëndimor janë mbi 60 vjeç dhe me sëmundje kronike shoqëruese, ndërsa gjatë 15 viteve të fundit në vend janë regjistruar pesë raste vdekjeje nga kjo sëmundje.
ARMEND MURSELI
