Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë pezull, deputetët në kundërshti, kryeministri i përmbajtur
Ligji për përfaqësim të drejtë pa parashikim konkret...

Ligji për përfaqësim të drejtë pa parashikim konkret për t’u votuar në Kuvend, edhe përkundër përmbylljes së debatit.
Deputetët shqiptarë të pushtetit dhe opozitës, me qëndrime të ndara. VLEN-i nuk heq dorë nga versioni aktual. Akuzon BDI-në se duke bllokuar ligjin, po punon kundër Marrëveshjes së Ohrit. Ata ftojnë integristët për bashkëpunim.
“Në Reçicë të Vogël kanë përgatitur një skenar të rrezikshëm. Duan të krijojnë përshtypjen se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara vetëm pse BDI-ja nuk është pjesë e Qeverisë. Ne edhe më tutje do të insistojmë që ky ligj të kalojë, sepse e dimë rëndësinë e tij se çka do të thotë për shqiptarët e Maqedonisë dhe gjithashtu mendojmë dhe shpresojmë se edhe BDI-ja, e cila aq shumë gjatë ka folur për këtë temë do të reflektojë edhe do ta përkrahë ligjin dhe do ta ndërpresë politikën e saj të bllokimit, të çështjeve që kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
Por, nga BDI nuk heqin dorë nga bllokimi me arsyetimin se ligji shkon në dëm të shqiptarëve. Ndërkohë, akuzojnë pushtetin për tendencën e kontrabandimit të ligjit.
“Ligji për përfaqësim adekuat është ngjitur pas dere dhe po pret momentin e kontrabandimit. Ne nuk do ta lejojmë këtë, nuk e lejuam deri më tani dhe sërish nuk do të lejojmë të kalojë si ligj suedez pa kurrfarë thelbi, i cili është bazë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, Marrëveshjes së Ohrit dhe një nga themelet e shtetit tonë. Nëse kryetari i Kuvendit e vendos në rend dite, ne do ta mbivotojmë, gjegjësisht nuk do të kalojë ky ligj.”, - theksoi deputeti i BDI-së, Ilir Hasani.
Kryeministri Hristijan Mickoski i përmbajtur, thotë se Qeveria ka mbaruar punë me ligjin, duke e hedhur përgjegjësinë tek deputetët.
“Unë kam qenë i fokusuar, ato gjenden në procedurë parlamentare dhe nga ky moment është në kuadër të Kuvendit, nuk është në kuadër të Qeverisë. Ne si Qeveri kemi krijuar zgjidhje që i kanë kaluar të gjitha filtrat, të gjitha procedurat dhe tani janë në Parlament. Kjo është çështje e deputetëve.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Përpos BDI-së, kundër ligjit janë shprehur nga ASh-ja, si dhe nga Lidhja Shqiptare e Zijadin Selës. Opozitarët shqiptarët dhjetë ditë më parë nisën bllokimin e votimit të ligjit me Badinter, duke shfrytëzuar replikat e njëpasnjëshme me orë të tëra.
Tani ligji ka mbetur në prag të votimit, duke e lënë seancën e pambyllur. (Meral Ismaili, TVM2)
