Branko Manejllovksi dhe Branko Sinadinovksi:Ta vazhdojmë luftën e Bagerit për kombin dhe gjuhën

15.06.2015 17:12

Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së rilindasit me përkatësi shqiptare ortodokse, Josif Bageri, sot u zhvillua manifestimi “Përkujtojmë Josif Bagerin”, ku u fol mbi veprimtarinë e tij të palodhshme...

Branko Manejllovksi dhe Branko Sinadinovksi, të dy shqiptarë ortodoksë nga Reka e Epërme, thonë se shqiptarët ortodoksë kanë jetuar për 300 vite në terr dhe kanë nevojë për dritë. Sipas tyre, luftën e Bagerit për kombin, gjuhën dhe shkollën duhet ta vazhdojmë edhe sot. 

“Shqiptarëve ortodoksë duhet t’i njihni të gjithë, sepse ata janë fshehur, t’u jepni pozita dhe punë dhe t’i lironi, sepse ata nuk lirohen me muhabete dhe llafe”- tha Branko Manejllovksi.

“Duhet që sa më shpejt të ndërtojmë një muze mbi themelet e shtëpisë së tij, në Nistrovë, ku do të përkulen të gjithë shqiptarët dhe më pas atë pak që mundemi të bëjmë si shtet është të formojmë fondacion me emrin e tij dhe t’u jepen stipendione studentëve më të mirë, si dhe të sillet ligj për ndarjen e çmimit shtetëror  me emrin Josif Bageri”- deklaroi profesori, Branko Sinadinovksi.

Duke folur mbi punën e Bagerit, profesorët universitarë thonë se ai ndihmoi shumë në përhapjen e arsimit shqip ndër masat popullore. Ishte luftëtar i denjë për kombin, gjuhën dhe shkollën shqipe.

“Me respektin më të madh të çojmë përpara idealin, punën dhe veprën e tyre, për të mirën tonë të përbashkët gjithëshqiptare”- theksoi prorektori i USHT-së, Arbër Çeliku.

“Rilindasit e kombit tonë, muhamedanë apo të krishterë, na e kanë dhënë qartë mesazhin që para 100 viteve. Sot nuk duhet të shpikim gjë, sepse i kanë shpikur të tjerët, vetëm duhet ta duam kombin, ta duam fëmijën e sotëm dhe njeriun e nesërm”- u shpreh profesoresha e UShT-së, Aurora Karameti.

Amanetin e Bagerit nuk duhet ta harrojnë as gjeneratat e ardhshme, theksoi në emër të SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.

“Janë edhe disa shënime që duhen të analizohen dhe në të ardhmen tua japim gjeneratave të reja që t’i mbajnë amanet”- tha Fazli Veliu nga SHVL-UÇK.

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u zotua se do të vazhdojë të angazhohet për të plotësuar amanetin e rilindësit, Josif Bageri.

“Ne jemi në kërkim të eshtrave të atij kolosi, sepse akoma nuk janë atje ku ai kërkonte të jenë dhe të prehen të qeta. Kemi krijuar ekipe, edhe pse është e vështirë dhe edhe në copa po ta gjejmë do ta çojmë aty ku na kanë lënë amanet”- theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu kërkoi që mos të ketë ndarje fetare mes shqiptarëve dhe Marrëveshja e Ohrit të vlejë edhe për shqiptarët ortodoksë dhe katolikë në Maqedoni.(Sanije Kasami, TVM2)