U arrestuan dy persona për krime lufte, dyshohen për zhdukjen e 23 intelektualëve
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona...

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, në një rast, që sipas burimeve nga Prokuroria Speciale, lidhet me një nga ngjarjet më të rënda të personave të zhdukur gjatë luftës, rrëmbimin dhe zhdukjen e 23 intelektualëve shqiptarë të Mitrovicës në prill të vitit 1999.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dy të dyshuarit, meshkuj kosovarë, janë arrestuar pas veprimeve hetimore, pasi dyshohet se në prill të vitit 1999, në territorin e Zubin Potokut, kanë kryer krime kundër popullatës civile shqiptare. Sipas dyshimeve të autoriteteve, si pasojë e këtyre veprimeve janë vrarë 23 civilë shqiptarë.
Me vendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Ndërkohë, burime nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për KosovaPress se arrestimet lidhen me hetimet për zhdukjen e 23 intelektualëve shqiptarë nga Mitrovica, të cilët u ndaluan më 19 prill 1999 në zonën e Zubin Potokut, ndërsa po largoheshin drejt Malit të Zi.
