Botë
SHBA rishikon praninë ushtarake në Evropë, Trump kërkon që NATO të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen
29.07.2026 09:41
SHBA kanë nisur një rishikim të gjerë të pranisë së tyre ushtarake në Evropë...

SHBA kanë nisur një rishikim të gjerë të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, me synimin për të përcaktuar nëse dislokimi aktual i forcave amerikane përputhet me prioritetet e reja të sigurisë së Uashingtonit.
Procesi i vlerësimit është konfirmuar nga zyrtarë të lartë të Pentagonit, të cilët bëjnë të ditur se qëllimi kryesor është që vendet evropiane të NATO-s të marrin një rol më të madh në mbrojtjen e kontinentit.
Sekretari i Shtetit në Pentagon, Elbridge Colby, bëri të ditur se bëhet fjalë për një “rishikim të vërtetë”, që synon të sigurojë se aleanca është e përgatitur për sfidat e reja të sigurisë dhe se Evropa mund të mbajë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj konvencionale.
Presidenti amerikan Donald Trump prej kohësh ka kritikuar vendet evropiane të NATO-s për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje. Megjithatë, disa vende, përfshirë Gjermaninë, kanë rritur së fundmi buxhetet ushtarake në përgjigje të tensioneve të reja gjeopolitike.
Rishikimi u njoftua më herët nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Sipas tij, procesi pritet të zgjasë rreth gjashtë muaj dhe do të analizojë mënyrën se si SHBA përdor burimet ushtarake në Evropë.
Në fokus të vlerësimit mund të jenë numri i trupave amerikane, avionët luftarakë, dronët, avionët e furnizimit me karburant në ajër dhe njësitë detare të vendosura në kontinent. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 80 mijë trupa ushtarake të stacionuara në Evropë.
Raportet e mëparshme kanë ngritur mundësinë e një reduktimi të pranisë amerikane, veçanërisht në Gjermani, ku ndodhet një nga përqendrimet më të mëdha të forcave amerikane jashtë territorit të SHBA-së. Në disa skenarë është përmendur tërheqja e mijëra ushtarëve gjatë muajve të ardhshëm.
Kjo qasje lidhet edhe me strategjinë e re të mbrojtjes së administratës Trump, ku prioritetet amerikane janë përqendruar te mbrojtja e territorit kombëtar dhe konkurrenca strategjike me Kinën.
Ndërkohë, marrëdhëniet brenda NATO-s janë përballur me debate të reja pas qëndrimeve të ndryshme mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë për disa operacione ushtarake amerikane jashtë aleancës.
Rishikimi i Pentagonit pritet të përcaktojë nëse SHBA do të mbajë nivelin aktual të pranisë ushtarake në Evropë apo do të ndryshojë shpërndarjen e forcave për t’iu përshtatur prioriteteve të reja strategjike.
