Takimi i ministrave të jashtëm të NQE-së, vala e emigrantëve ilegalë dhe zgjerimi, në fokus

15.06.2015 17:16

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të pafuqishme që të vetme të përballen me valën e emigrantëve ilegalë...

Duhet ndihma e BE-së, aq më shumë që emigrantët në këto shtete depërtojnë kryesisht nga Greqia, një vend anëtar i BE-së.

Problemi me emigrantët ilegalë, me të cilin ballafaqohen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ishte një prej temave kryesore në takimin e ministrave të jashtëm të Nismës Qendrore Evropiane, që po mbahet në Ohër. Ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, vlerëson se me këtë çështje duhet të përballet BE, ndërsa rajoni duhet të bëhet pjesë e strategjisë së Brukselit në këtë drejtim.

“Nëse BE-ja siguron fonde dhe koordinohet mes vete për t’u ballafaquar me këtë problem, është e paparamenduar që kjo të bëhet me sukses pa ndihmën evropiane dhe pa përfshirjen tonë në strategjinë e tyre”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.

Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ndan bindjen se emigrantët ilegalë janë problem serioz për vendet e rajonit. Ai kërkoi nga BE që të pyetet pse kufijtë e saj janë të kalueshme kaq lehtë nga emigrantët.

“Emigrantët ilegalë në shtetet tona hyjnë përmes BE-së. Për këtë BE-ja duhet nga brenda të përgatitë mekanizma dhe të vërtetohet pse kufijtë e tyre janë shumë të dobët dhe si mund të kalojnë aq shumë emigrantë ilegalë”- tha ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Mirëpo ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijatro, thotë se zgjidhja e kësaj sfide nuk është brenda BE-së, por jashtë saj.

“Këtu na duhen dy gjëra. Na duhet paqe dhe stabilitet ekonomik në atë rajon prej ku vjen presioni i migrimit. Për këtë duhet ta risim rezistencën tonë kundër organizatave, siç është ISIS. Mendojmë se patjetër duhet t’iu përmbahemi vendimeve formale të Këshillit Evropian”- theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Sijatro.

Përveç problemit me valën e emigrantëve ilegalë, ministrat e jashtëm nga Ohri diskutuan edhe çështjen e zgjerimit dhe të ardhmen evropiane të rajonit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)