Botë

Arabia Saudite i bashkohet SHBA në sulmet ndaj milicisë së mbështetur nga Irani

29.07.2026 11:20

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit marrin një tjetër përmasë në Lindjen e Mesme...

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit marrin një tjetër përmasë në Lindjen e Mesme. Forcat amerikane, së bashku me ato saudite, kanë kryer sulme ajrore ndaj një milicie të mbështetur nga Irani në Irak, pas një serie përplasjesh dhe sulmesh ndaj objektivave amerikane në rajon.
 
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) bëri të ditur se operacioni kishte në shënjestër persona të lidhur me Iranin, të cilët sipas saj ishin përfshirë në sulme ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike të Arabisë Saudite.
 
Në deklaratën e Centcom nuk u përmend emri i grupit të goditur, ndërsa Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF) në Irak njoftuan se të paktën 10 anëtarë të tyre kanë humbur jetën gjatë sulmeve.
 
Operacioni vjen pas një sulmi me raketa balistike nga Irani ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Sipas ushtrisë amerikane, disa raketa u lëshuan në një tentativë sulmi të papritur, por u neutralizuan nga sistemet mbrojtëse.
 
Teherani pretendoi se objektivi ishte një bazë amerikane në Jordani, ndërsa përplasjet mes dy palëve rikthejnë tensionet pas një periudhe të shkurtër qetësimi.
 
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi edhe për goditjen e tre anijeve cisternash nafte në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
 
Sipas Centcom, avionët luftarakë amerikanë dhe sauditë goditën disa pika logjistike dhe depo armësh në lindje të Irakut, si kundërpërgjigje ndaj më shumë se 30 sulmeve me dronë të drejtuara nga forcat e lidhura me IRGC-në gjatë 72 orëve të fundit.