Botë

Tërmet i fuqishëm në Japoni, raportohet për viktima dhe të plagosur

29.07.2026 13:29

Kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.1 që goditi prefekturën Kumamoto, në jugperëndim të Japonisë....

Kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.1 që goditi prefekturën Kumamoto, në jugperëndim të Japonisë. Ekipet e shpëtimit punojnë pa ndërprerje në zonat e shkatërruara, ndërsa autoritetet raportojnë dhjetëra viktima dhe të plagosur. Frika mbetet se bilanci mund të rëndohet, pasi shumë persona rezultojnë ende të zhdukur.
 
"Ka ende njerëz që presin ndihmë dhe kjo është një garë me kohën. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të gjetur dhe shpëtuar sa më shumë njerëz.", - deklaroi kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi.
 
Pjesëtarët e Forcave Vetëmbrojtëse të Japonisë iu bashkuan ekipeve të shpëtimit në operacionet e kërkim-shpëtimit në qendrën tregtare të dëmtuar rëndë, si dhe në një fabrikë të shkatërruar në qytetin Kashima. Në qytetin e afërt Yatsushiro, një nga zonat më të goditura, shumë shtëpi janë dëmtuar dhe disa ndërtesa janë shembur. Gjithashtu, një pjesë e një ure u rrëzua në lumin Kumagaua.
 
"Isha në zyrë, në katin e tetë, dhe ndjeva menjëherë rrezikun. U trondita kur pashë se gjithçka ishte shkatërruar.", - tha një qytetare.
 
"Isha në katin e tretë të një ndërtese. Lëkundjet ishin shumë të forta dhe zgjatën për një kohë të gjatë. Kisha ardhur jashtë prefekturës Kumamoto dhe duhej të kthehesha sot.", - tha një qytetar.
 
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonave më të prekura të qëndrojnë në gatishmëri për lëkundje të tjera të forta gjatë javës së ardhshme, si dhe për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.
 
"Nëse shohim energjinë e çliruar nga këto tërmete dhe shkallën e magnitudës momentale, që është emri modern për shkallën Rihter, kalimi nga magnituda 6 në 7 nënkupton rreth 30 herë më shumë energji të çliruar. Ka një ndryshim të madh edhe midis magnitudës 7.1 dhe 7.6. Ky ndryshim reflektohet jo vetëm në intensitetin e lëkundjeve, por edhe në kohëzgjatjen e tyre. Tërmetet më të fuqishme zgjasin më shumë dhe prekin një zonë shumë më të gjerë, pasi sipërfaqja e rrëshqitjes së çarjes është një nga faktorët kryesorë që përcakton energjinë totale të çliruar.", - theksoi Ramon Arroësmith nga Universiteti Shtetëror i Arizonës. 
 
Agjencia Japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Fatkeqësive njoftoi se më shumë se 260 mijë persona janë këshilluar të evakuohen, shumica në prefekturën Kumamoto, por edhe në prefekturën fqinje Nagasaki.
 
FARIJE DAUTI BAKIU