Botë
Lindja e Mesme, Irani numëron dëmet pas sulmeve të fundit amerikane
29.07.2026 13:52
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish...

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish, pasi Irani ndërmori sulme me raketa balistike ndaj forcave amerikane në rajon dhe goditi tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit. Sipas ushtrisë amerikane, raketat u interceptuan me sukses, ndërsa ShBA-ja dhe Arabia Saudite iu përgjigjën me sulme ajrore ndaj milicive pro-iraniane në Irak. Pavarësisht përshkallëzimit, Uashingtoni dhe Teherani vazhdojnë bisedimet përmes ndërmjetësve, ndërsa presidenti i ShBA-së paralajmëroi sulme të reja nëse negociatat dështojnë. Ndërkohë, Irani po vlerëson dëmet e shkaktuara nga sulmet e fundit amerikane.
"Aeroporti i Bushehrit tani është plotësisht jashtë funksionit dhe do të duhet të rindërtohet nga e para. Kulla e kontrollit detar në Çabahar, përgjegjëse për monitorimin e kushteve detare, transmetimin e informacionit dhe dërgimin e ekipeve të shpëtimit, gjithashtu është shembur. Reagimi emergjent u përqendrua kryesisht në rihapjen e rrugëve kryesore të transportit. Shtabi i rindërtimit do të veprojë shpejt për të riparuar urat e dëmtuara dhe infrastrukturën tjetër të prekur. Sa u përket aeroporteve, sigurisht që do të duhet të gjejmë zgjidhje alternative, pasi rindërtimi i tyre do të marrë një kohë të konsiderueshme.", - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë së Iranit, Fatemeh Mohaxherani.
Përshkallëzimi i konfliktit ka shkaktuar reagime të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke nxitur një rritje të fortë të çmimeve të naftës. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u takua me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Iran.
"Sapo përfundova një takim të shkëlqyer me presidentin Trump. Kur them i shkëlqyer, nuk e them në mënyrë sipërfaqësore. Ishte një bisedë në frymën e partneritetit të plotë, me mbështetje të ndërsjellë dhe me mirëkuptim për objektivin e përbashkët që Irani të mos ketë armë bërthamore.", - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Takimi i Netanyahut me Trump-in është i pari që nga koha kur të dy liderët filluan luftën e përbashkët kundër Iranit.
FARIJE DAUTI BAKIU
