Maqedoni

Nis programi “Muajt e praktikës profesionale”, rreth 60 studentë do të angazhohen në komuna

29.07.2026 14:04

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale dhe drejtoresha e INOVA finalizuan përgatitjet për zbatimin e programit “Muajt e praktikës profesionale”...

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, dhe drejtoresha e Agjencisë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi (INOVA), Daniela Dimovska, finalizuan përgatitjet për zbatimin e programit “Muajt e praktikës profesionale”. Sipas ministrit Stoilkoviq dhe drejtoreshës Dimovska, me këtë plan janë përcaktuar aktivitetet përfundimtare për zbatimin me sukses të programit, i cili gjatë muajve gusht dhe shtator do t’u mundësojë studentëve të universiteteve publike të fitojnë përvojë praktike pune në komunat anembanë vendit.
 
“Ajo e cila është notuar si problem i pushtetit lokal është potenciali kadrovik, dhe ky problem po shkakton probleme në përcjelljen e rezultateve, por edhe problem në realizimin e projekteve. Për këtë arsye në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale është themeluar “Qendra е Resurseve”, përmes së cilës do të realizohet ky projekt. Unë e di se shumë komunave në vendin tonë u nevojitet potencial kadrovik dhe besoj se shumë studentë të rinj do ta shfrytëzojnë këtë mundësi.”, - deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq.
 
Ndërsa sipas drejtoreshës Dimovska, ky program përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vetëqeverisjes lokale, komunitetit akademik dhe institucioneve, duke u mundësuar të rinjve që njohuritë e fituara gjatë studimeve t’i zbatojnë në procese reale pune dhe të përvetësojnë aftësi të vlefshme profesionale.
 
“Rreth 60 studentë këtë vit do të kenë mundësi që të përfshihen në muajt e praktikës profesionale në komunat e tyre amë, dhe aty do të marrin praktikën e duhur. Me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale kemi hartuar listën se cilave komuna çfarë kuadri i nevojitet, pastaj kemi ndërtuar një raport me Universitetet Shtetërore për t’i kërkuar këto kuadro dhe varësisht se cili profil duhet, asi profili të kuadrit komunat edhe do të marrin.”, - theksoi Daniela Dimovska nga INOVA.
 
Përmes kësaj nisme, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Agjencia për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe ndërmarrësi (INOVA) krijojnë mundësi të reja për të rinjtë, duke kontribuar në zhvillimin e komuniteteve lokale përmes dijes, përvojës praktike dhe një qasjeje inovative.
 
FITIM KRYEZIU