Kriza politike, Gruevski: Bisedimet do të vazhdojnë

15.06.2015 17:30

Pavarësisht mossuksesit në Bruksel për tejkalimin e krizës politike, bisedimet do të vazhdojnë...

Këtë e konfirmoi vetë kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, njëkohësisht kryeministër.

“Ne jemi të hapur për bisedime. Ne jemi parti që është e orientuar drejt gjetjes së zgjidhjeve për problemet dhe në këtë aspekt ne jemi të hapur për bisedime për gjetjen e mënyrave për tejkalimin e krizës aktuale. Unë mendoj se bisedimet do të vazhdojnë”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.

Nëse palët nuk arrijnë të afrojnë qëndrimet dhe brenda qershorit të finalizojnë marrëveshjen e arritur në Shkup, gjatë korrikut pritet të ndërhyjë më fuqishëm ShBA-ja.

Sipas “Faktor”, në korrik do të vizitojë Shkupin ndihmëssekretari shtetëror i ShBA-ve për Evropën dhe Euroazinë, Viktoria Nuland, kur edhe pritet të kulminojë presioni mbi palët për të zgjidhur krizën politike.Edhe pse informacioni bazohet në burime të portalit “Faktor”, ky paralajmërim as nuk është konfirmuar, por as nuk është mohuar.

Në ndërkohë, Komisioni Evropian hodhi poshtë akuzat për anshmërinë e komisionarit, Johanes Han, gjatë ndërmjetësimit për zgjidhjen e krizës politike. Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq, i quajti të pakuptimta dhe të pabaza pretendimet se Han favorizon Gruevskin.

“Komisioneri së bashku me eurodeputetët, shtetet anëtare, si dhe ShBA-të kanë punuar fuqishëm dhe paanësisht në lehtësimin rreth një zgjidhjeje kompromisi mes liderëve. Komisioneri gëzon mbështetjen e plotë të shteteve anëtare në këto përpjekje, që synojnë mbështetjen e vendit dhe të qytetarëve. Ai dje pati diskutime me një numër të madh ministrash të jashtëm të vendeve të BE-së dhe të gjithë mbështetën plotësisht qasjen e tij”- tha zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq.

Kocijançiq tha se komisioneri Han është i gatshëm për të vazhduar ndërmjetësimin si një negociator i sinqertë dhe i paanshëm. (Shpëtim Nuredini, TVM2)