Maqedoni

Gostivar, gjendja po stabilizohet, uji ende në pritje

29.07.2026 14:58

Sinjale për stabilizim të situatës epidemiologjike në Gostivar...

Sinjale për stabilizim të situatës epidemiologjike në Gostivar. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se numri i rasteve të reja është kthyer në nivelin para 25 qershorit, ndërsa si faktor kryesor përmirësimi përmendi edhe klorimin e rregullt të ujit në rrjetin e ujësjellësit. Vendimi përfundimtar për shpalljen e ujit të sigurt për përdorim do të merret nga Komiteti Drejtues, pas përfundimit të kontrolleve shtesë.
 
“Vlerësojmë se epidemia po qetësohet. Fundi i epidemisë mund të shpallet vetëm kur, në bazë të anketave epidemiologjike, të konstatohet se nuk ka më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit të Gostivarit. Ky numër i rasteve të reja mund të jetë rezultat i shkaqeve krejtësisht të tjera.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
 
Armata mbetet të ndihmojë në Gostivar derisa të ketë nevojë për këtë, tha ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. 
 
“Në Gostivar do të qëndrojmë si Armatë, për dhënie shtesë të ujit teknik, kapacitetet tona që i kemi i vendosim në disponim çdokund, cisterna dhe lloje të ndryshme pajisjesh. Dhe do të jemi vazhdimisht atje, edhe pse tashmë ujë teknik ka. Por, varësisht nga nevoja e Komitetit Drejtues, për çdo qytetar të Gostivarit, Armata do të qëndrojë atje, derisa të ketë nevojë.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
 
Ndërkohë, kriza shëndetësore vazhdon të jetë edhe temë e përplasjeve politike. LSDM-ja opozitare kërkon përgjegjësi politike dhe penale, duke akuzuar pushtetin për dështim institucional.
 
“Në vend që të fshehin të vërtetën dhe të kërkojnë fajtorë kudo, përveç në radhët e tyre, VMRO-ja kriminale duhet ta pranojë të vërtetën për kolapsin e plotë institucional. Ata e rrezikuan shëndetin e qytetarëve. Nuk mund ta helmosh një qytet të tërë, të ketë ndotje të ujit edhe në shtatë vendbanime të tjera dhe në dy lumenj, ndërsa askush nga pushteti të mos mbajë përgjegjësi.”, - u shpreh zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski, akuzave të opozitës iu përgjigj me kundërakuza.  
 
“Shikoni, këtë pyetje e parashtron, ose këto akuza ia drejton një person të cilit i digjeshin njerëz të gjallë në spitalin modular në Tetovë. Një person që do të mbetet i shënuar si rekordmen për nga numri i të vdekurve gjatë krizës së koronës, sepse nuk arriti në kohë të sigurojë mjaftueshëm vaksina, që qytetarët të mund t’i përdornin dhe në këtë mënyrë të sigurojë, përkatësisht të shpëtojë ndonjë jetë njerëzore.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Përndryshe, mbi 4.000 persona në Gostivar janë helmuar si pasojë e ujit të ndotur. 
 
ERSAN PAJAZITI