Botë

Zyrtare, Jeb Bush kandidon për presidencialet në SHBA

15.06.2015 17:48

Ish-guvernatori i Floridas, Jeb Bush më në fund ka zyrtarizuar kandidaturën e tij republikane për President të SHBA-së...

Në një video para zyrës së tij në Majemi, 62-vjeçari, vëllai i ish-presidentit George W. Bush, deklaroi: Unë jam i gatshëm të udhëheq.
 
Ai premtoi se do të mbrojë pjesën më vulnerabël të shoqërisë dhe do të heqë barrierat sociale.
 
Pjesa konservative e partisë së tij është ende skeptike. Sondazhet e fundit tregojnë se ai ka ende terren për të fituar mes kandidatëve republikanë.
 
Në videon e tij të fundit të titulluar “The Greatest Century” (Shekulli i madh), ai flet me nota optimizmi duke thënë: “Unë shoh një vend të madh në prag të shekullit të saj më të madh, dhe unë jam gati ta udhëheq”.
 
Gjatë një turi në Europë javën e kaluar, z. Bush paralajmëroi se ai nuk do të heqë dorë nga bindjet e tij kryesore, dhe pse disa nuk mbështeten nga partia e tij.
 
“Nuk do të ndryshoj veten. I respektoj njerëzit që nuk janë dakord me mua, por nuk do të ndryshoj këndvështrimet e mia, sepse sot dikush ka një këndvështrim të ndryshëm”, tha Bush.