Shkup, përfunduan me sukses garat e Kur’anit
Për disa ditë me radhë, Shkupi - kryeqyteti i vendit...

Për disa ditë me radhë, Shkupi - kryeqyteti i vendit, u bë qendër e fjalës së Zotit /Kur’anit famëlartë, duke mbledhur garues të dalluar nga shumë shtete, të cilët garuan në kategoritë e leximit me rregullat e texhvidit dhe të hifzit.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë drejtues të Bashkësisë Fetare Islame, përfaqësues të Ministrisë së Çështjeve Islame të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ambasadorë, personalitete fetare dhe mysafirë të shumtë.
Ata vlerësuan rëndësinë e këtyre garave si një urë bashkëpunimi mes vendeve islame dhe një nxitje për brezat e rinj që t’i përkushtohen Librit të Allahut.
“Këto gara nuk ishin vetëm një konkurrim në leximin dhe memorizimin e Librit të Allahut, por një manifestim i unitetit të umetit islam, një takim i dijes, moralit dhe vëllazërisë, si dhe një dëshmi se Kur’ani Famëlartë vazhdon të mbetet boshti që bashkon zemrat e besimtarëve dhe frymëzon brezat drejt devotshmërisë, dijes dhe qytetërimit.”, - deklaroi Reis Ul Ulema i BFI-së së RMV-së, Haxhi Hafiz Shaqir ef. Fetahu.
“Marrëdhëniet ndërmjet Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut bazohen në respektin reciprok, miqësinë dhe bashkëpunimin, duke shënuar zhvillim të vazhdueshëm në fusha të ndryshme. Kjo garë nuk nderon vetëm fituesit, por vlerëson çdo njeri që është angazhuar në mësimin përmendësh të Librit të Allahut dhe ka marrë pjesë në këtë konkurrim fisnik.”, - theksoi zëvendësambasadori në Shqipëri i Arabisë Saudite, Ahmed el Harbij.
Në fund të ceremonisë u shpallën fituesit në kategoritë përkatëse, të cilët u nderuan me çmime dhe mirënjohje për suksesin e arritur.
Organizatorët vlerësuan se edicioni i sivjetshëm, i mbajtur në Shkup, u zhvillua me sukses të plotë, duke forcuar edhe më tej lidhjet ndërmjet institucioneve islame dhe duke promovuar mesazhin e Kur’anit, të dijes dhe të unitetit. (Lumturie Hajro, TVM2)
