Maqedoni
Sindikalistët dhe punëdhënësit pajtohen për K15 në sektorin privat
15.06.2015 18:02
Lidhja e Sindikatave dhe Organizata e Punëdhënësve gjatë mbledhjes së sotme kanë rënë dakord që e drejta e regresit, apo K15...

Lidhja e Sindikatave dhe Organizata e Punëdhënësve gjatë mbledhjes së sotme kanë rënë dakord që e drejta e regresit, apo K15, për pushim vjetor të vazhdojë, por vetëm për ata që janë të anëtarësuar në sindikatë.
Po ashtu, për pagesën e K15 do të merret parasysh edhe gjendja financiare e punëdhënësit.
“Partnerët kanë konstatuar se e drejta për regres për pushim vjetor mbetet për punëtorët në sektorin privat në Republikën e Maqedonisë, me çka e njëjta do të jetë e lidhur me anëtarësimin në sindikatë, ndërsa në disa raste për pagesë do të merret parasysh edhe gjendja ekonomike-financiare e punëdhënësit”- thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të organizatave për të drejtat e punëtorëve pagesa e K15 nuk duhet të ndërpritet.
Ata thonë se nuk duhet që punëtorët çdoherë të jenë viktimë e ndonjë krize në këtë shtet.
Ata apeluan edhe deri tek kompanitë që për problemet e tyre me profitin të ankohen për inspekcionet e shumta, e jo të kërkojnë heqjen e pagesës së K15, ndërsa gjithashtu kërkuan që pagesa e K15 të jetë obligative edhe për punëtorët që punojnë në sektorin publik.
“Nuk mund të kërkohet që të hiqet pagesa e K15 në sektorin privat, nëse disa kompani kanë probleme me profitabilitetin, atëherë organizatat e punëdhënësve le t’i drejtohen qeverisë dhe të kërkojnë heqjen e inspekcioneve”- tha Zdravko Savevski nga Lëvizja “Solidariteti”.
“Nëse lidhja e sindikatave me të vërtetë i përfaqëson të drejtat e punëtorëve, e jo të qeverisë dhe të punëdhënësve, duhet të diskutojnë për rritjen e rrogave të punëtorëve, qoftë në pjesën e të hyrave personale apo në pjesën e pagesës së K15”- theksoi Marijan Ristovski nga Konfederata e Sindikatave të Lira.
“Kërkesa jonë është që të vazhdojë pagesa e K15 në sektorin privat, gjithashtu vlerësojmë se klasa punëtore nuk duhet të ndahet, pra vlerësojmë se të gjithë punëtorët janë të njëjtë, pa dallim se ata punojnë në sektorin privat apo në atë publik, dhe do ta shfrytëzoj këtë mundësi që të kërkojmë që K15 të jetë i detyrueshëm edhe për të punësuarit në sektorin publik”- tha Dejan Lutovski nga Lëvizja “Lenka”.
Në mbledhjen e sotme të Lidhjes së Sindikatave dhe Organizatës së Punëdhënësve është rënë dakord edhe për formimin e një grupi punues, i cili do të jetë i obliguar të përcaktojë formulimin e saktë të amendamenteve.
ERSAN PAJAZITI
